DURRËS- Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në fuqi masën "arrest me burg" për Fetah Matajn, 44 vjeç, bashkëshortin e ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit.
44-vjeçari, i cili pak kohë më parë u emërua në detyrën e zv.drejtorit të ndërmarrjes komunale të pastrim-gjelbërimit në Bashkinë Durrës, është arrestuar nga krimi ekonomik. Sipas një denoncimi nga një punonjëse e filialit të postës, Feta Mataj, burri i sh-drejtoreshës u kërkonte çdo muaj punonjëseve shumën prej 25 mijë lekëve. Mataj akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Gjykata ka vendosur se Mataj do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Hetimi ndaj Matajt lidhet me skandalin në Postën e Durrësit, ku një audit ka evidentuar një mungesë financiare prej rreth 700 mijë eurosh.
Ndërkohë, ish-drejtoresha e Postës së Durrësit la qelinë më 25 shtator, pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, e cila zëvendësoi masën e sigurisë “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”.
Mataj ndodhej në paraburgim që prej muajit korrik, nën hetim për dyshimet mbi përvetësimin erreth 69 milionë lekëve të rinj (700 mijë euro), fonde të destinuara për pensionet në degët e Postës në Shijak dhe Krujë. Ajo është një nga tre zyrtaret e Postës së Durrësit të përfshira në hetim. Në korrik, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë që në fillim në “arrest në shtëpi.
Sipas hetimeve, rreth 69 milionë lekë të rinj, të parashikuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, dyshohet se nuk janë arkëtuar. Prokuroria dyshon se shuma është përvetësuar në bashkëpunim nga tre të arrestuarat. Për këtë çështje është regjistruar procedim penal për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Sipas Prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026.
Elisabeta Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe u kallëzua në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm./ZËRI