Aktualitet

GJKKO zbardh vendimin për Sali Berishën: Ka raste kur edhe fjalimet e politikanëve mund të kufizohen

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila caktoi në datën 30 dhjetor arrest shtëpie me mbikëqyrje policore për Berishën

E.K
GJKKO zbardh vendimin për Sali Berishën: Ka raste kur edhe fjalimet e
Sali Berisha

TIRANË-Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha. Vendimi i zbardhur, që e lë Berishën nën masën e arrestit të shtëpisë, i është dërguar ish-kryeministrit, të cilët kanë deklaruar se do do ta tërheqin gjatë ditës së nesërme. Gjykata e Posaçme në vendimin e zbardhur ndaj Berishës, thotë se politikanët nuk duhet të përfitojnë nga pozitat e tyre dominuese në raport me institucionet e tjera.

Edhe pse fjalimet e politikanëve dhe liria e tyre për t’u shprehur mbrohen nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Gjykata nënvizon se në disa raste është e nevojshme që “në disa shoqëri demokratike të sanksionohen apo edhe të parandalohen të gjitha format e shprehjes që përhapen, nxisin ose justifikojnë urrejtjen e bazuar në intolerancë, me kusht që ‘formalitetet’, ‘kushtet’, ‘kufizimet’ ose ‘gjobat’ e vendosura janë në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur””.

PJESË NGA VENDIMI:

“Duke marrë parasysh funksionin e të hetuarit Sali Berisha, si politikan, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, referuar opinionit Nr. 18 (2015) të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë, mbi pozicionin e gjyqësorit dhe lidhjen e tij me pushtetet e tjera të Shtetit, citohet se “Politikanët duhet të tregojnë përmbajtje dhe të mos përfitojnë nga pozita e tyre dominuese e mundshme në institucionet shtetërore për të heshtur kritikat, veçanërisht duke përdorur procedurat civile ose penale kundër kritikëve; këto procedura në mënyrë të pashmangshme kanë efekte prapësuese në vullnetin e njerëzve dhe të mediave për të shprehur pikëpamjet për çështje me interes publik. Politikanët duhet që në parim, të ruajnë besimin e popullit në institucionet demokratike dhe të shmangin përdorimin e argumenteve demagogjike kundër vendimeve të gjykatave, sulmojnë gjyqtarë individualë ose inkurajojnë mosbindje ndaj vendimeve gjyqësore…”

GJEDNJ ka theksuar se mbrojtja e shtuar, nga e cila përfiton fjalimi politik në një shoqëri demokratike, gjithashtu rrit detyrat dhe përgjegjësitë. Kështu, ashtu si politikanët në mënyrë të pashmangshme dhe me vetëdije dalin në mënyrë të hapur për shqyrtimin e fjalëve dhe veprimeve  të tyre nga gazetarët dhe publiku në përgjithësi, ata duhet të shfaqin një shkallë më të madhe të tolerancës. Politikanët, duke përdorur të drejtën e tyre të lirisë së shprehjes, shpesh mund të bëjnë deklarata publike që janë të ndjeshme ndaj kritikës ose synojnë të jenë provokuese dhe të ngjallin reagime të forta.

Për sa më sipër, gjykata çmon të nënvizojë diferencimin midis funksionit të të hetuarit Sali Berisha, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë (e në këtë kuadër dhe lirisë së shprehjes politike të tij) dhe pozitës së tij proceduriale në këtë proces penal, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal.

Megjthatë, fjalimet politike, edhe kur mbrohen nga neni 10 i KEDNJ, mund të kufizohen në përputhje me paragrafin e dytë të kësaj dispozite, sipas të cilit mund të vendosen kufizime në lirinë e shprehjes në rastin kur ato janë të përcaktuara me ligj dhe të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike ose për mbrojtjen e reputacionit ose të drejtave të të tjerëve. Ndërkohë që GJEDNJ ka konstatuar vazhdimisht se ka pak hapësirë për kufizime në fjalimet politike apo debatin e çështjeve me interes publik duke theksuar se: “toleranca dhe respekti për dinjitetin e barabartë të të gjithë qenieve njerëzore përbëjnë themelet e një shoqërie demokratike, pluraliste. Duke qenë kështu, në parim, mund të konsiderohet e nevojshme në disa shoqëri demokratike të sanksionohen apo edhe të parandalohen të gjitha format e shprehjes që përhapen, nxisin ose justifikojnë urrejtjen e bazuar në intolerancë, me kusht që ‘formalitetet’, ‘kushtet’, ‘kufizimet’ ose ‘gjobat’ e vendosura janë në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur”.

Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se ka qenë pikërisht ky i fundit i cili nuk ka zbatuar në mënyrë të qëllimshme urdhërimet e gjykatës, duke mos përmbushur kështu detyrimet e tij në zbatim të këtij vendimi”, mbi këto arsyetime Berishës ju ashpërsua masa.

Gjykata e Posaçme pranoi në datën 30 Dhjetor kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "arrest shtëpie". Vetë Berisha e ka cilësuar arrestimin e tij politik, ndërsa ka deklaruar se kjo është një vepër e Edi Ramës për të izoluar aksionin opozitar në vend./ZËRI 

Poll

MOS HUMB