Aktualitet

Gëzim Çela del para Gjykatës së Posaçme, pranon në heshtje masën e sigurisë

Ka pak shpresa që Gëzim Çela të pranojë që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë

E.K
Gëzim Çela del para Gjykatës së Posaçme, pranon
Gezim Cela

TIRANË- Gëzim Çela, i njohur me nofkën ‘baroni i drogës’, ka dalë sot përpara ambienteve të Gjykatës së Posaçme, ku është njohur me masën e sigurisë së caktuar ndaj tij, atë të arrestit me burgf. Çela u ekstradua dy ditë më parë nga Kosova, ku dhe ishte arrestuar disa muaj më parë, pas shpalljes në kërkim nga SPAK, në kuadër të operacionit ‘Flakë në det’, ku grupet kriminale shkëmbenin drogën në det të hapur.

Çela ka pasur dhe një dënim të mëparshëm të dhënë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në 7 dhjetor 2015. Në atë kohë, Çela është dënuar për trafik droge me 10 vite e 8 muaj burg. Teksa doli sot para Gjykatës, Çela vendosi që të mos fliste dhe të mos bashkëpunonte me hetuesit, duke pranuar masën e sigurisë në heshtje.

Arrestimi i Çelës u bë në Ferizaj të Kosovës, teksa ishte në shoqërinë e dy vajzave nga Shqipëria dhe paraqitej me identitet të ndryshuar. Gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës në të njëjtën shtëpi u gjet dhe sekuestrua një kallashnikov me 15 fishekë.

55-vjeçari, i konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë, ishte shpallur në kërkim nga SPAK në operacionin “Flakë në Det” në 9 tetor 2023, pas disa muajsh hetime ku më 15 gusht u godit një grup kriminal që tentoi të shkëmbej lëndë narkotike në mes të detit./ZËRI 

Poll

MOS HUMB