Aktualitet

Gazetari i librit “Gamorra”: Grupet kriminale italiane e shqiptare janë një grusht i vetëm, autonominë e gjejnë në Londër

Saviano foli mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me konceptin e tij për lirinë, prej së cilës ai është i privuar prej 18 vitesh, pas denoncimeve për raportet mes mafias shqiptare dhe asaj italiane.

F.m
Gazetari i librit “Gamorra”: Grupet kriminale italiane e shqiptare
Roberto Saviano

TIRANË- Gazetari italian Roberto Saviano, i ka përshkruar grupet kriminale shqiptare dhe ato italiane si të bashkuara në një të vetme. Në podcatin Public Square, me ish-ministrin Ditmir Bushati, Saviano tha se vendi ku kriminaliteti shqiptar është më i fortë se kudo, është Londra. Sipas gazetarit të librit “Gamorra”, Mbretëria e Bashkuar është vendi me zgjedhje për grupet kriminale shqiptare dhe aty krimi shqiptar operon në autonomi të plotë.

 “E ndiej të them se vendi ku kriminaliteti shqiptar është më i fortë se kudo, është Londra. Mbretëria e Bashkuar është vendi me zgjedhje për grupet kriminale shqiptare dhe aty krimi shqiptar operon në autonomi të plotë. Ajo që më çudit sa herë që kam të bëj me botën shqiptare, që e dua shumë, apo madje kur shkoj në Shqipëri, është të dëgjoj se për mafien shqiptare flitet shumë më shumë jashtë sesa në Shqipëri. Shumë më shumë jashtë se në Kosovë. Sepse e gjitha kjo, krimi i organizuar kosovar dhe shqiptar si dhe krimi shqiptaro-maqedonas është shumë i fortë. Shqipëria e Madhe nuk u arrit në politikë por u arrit me krimin. Të gjithë këta elementë, për fat të keq, ceken pak. Mjafton të shohësh publikimet mbi mafien shqiptare. Janë shumë të pakta,”- tha Saviano.

Saviano foli mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me konceptin e tij për lirinë, prej së cilës ai është i privuar prej 18 vitesh, pas denoncimeve për raportet mes mafias shqiptare dhe asaj italiane.

“E kuptova çfarë është liria duke e humbur. E humba lirinë në moshën 26 vjeçare kur shkruaja ‘Camorra’ dhe sot jam 44 vjeç dhe jam ende nën mbrojte. Po të kthehesha nuk do ta bëja,”- tha Saviano.

Roberto Saviano është shprehur mjaft kritik për protokollin e bashkëpunimit mes dy qeverive për refugjatët dhe mendon se kjo bie ndesh me liritë e të drejtat e njeriut dhe jo vetëm. Ai renditi disa probleme duke nisur nga ato juridiksionale, por u ndal dhe tek mësimet që Shqipëria ka mundësinë të nxjerrë nga Italia në këtë pikë.

“Pra që, juridiksioni italian do të shtrihej në një territor ekstra-europian, thjesht përmes shtrëngimit të duarve mes kryeministrit Rama dhe kryeministres Meloni. Kjo do të thotë se në ato qendra nuk do zbatohen ligjet shqiptare, por ato italiane. Të tjera problematike paraqet kjo marrëveshje edhe në raport me përzgjedhjen e refugjatëve që do të sillen në Shqipëri, kush dhe si ua garanton të drejtën për mbrojtje ndërkombëtare dhe së fundmi si do të mbrohemi nga organizatat kriminale?”- tha gazetari.

“Shqipëria duhet t’i thotë lamtumirë heshtjes, pra frikës për të folur. Pra, institucionet shqiptare druajnë se mund ta rëndojnë këtë paragjykim, të përkeqësojnë gjendjen e emigrantëve duke folur për krimin. Është e kundërta. Paragjykimi luftohet,”- shtoi ai.

Në kohën kur zhvillimi teknologjik ka nxjerrë fort në pah garën për klikime, apo kur e vërteta alternative është ulur këmbëkryq mes nesh, Saviano dhe Bushati diskutojmë mbi konceptin e “makinerisë së baltës” dhe sesi ajo e dëmton individin qoftë edhe kur bëhet fjalë për kauza të rëndësishme të interesit publik por që prek dhe dëmton mbi të gjitha demokracinë.

“Makineria e baltës dhe delegjitimimi sot është mjeti më i parë për të sulmuar individët. E përdor mafia, regjimet por edhe kompani të zakonshme, parti normale në demokraci, gazetat. Dhe shpesh njerëzit bëhen mjet, vegël e makinerisë së baltës, pa e ditur. Përhapin informacion false kundër një personi, duke mos e lënë të marrë frymë një individ, pa arsye,”- thotë Saviano.

Poll

MOS HUMB