
TIRANË- Perandorisë së vëllezërve Çopja i ka ardhur fundi! Të paktën zyrtarisht. Dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani bashkë me bisedat e zbardhura nga mesazhet e enkriptuara në aplikacionin SKY ECC kanë bërë që SPAK të jetë i bindur se vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja janë "truri" i një grupi kriminal, përgjegjës për trafikun ndërkombëtar të kokainës, kanë urdhëruar të paktën 4 atentate që kanë lënë pas 6 viktima dhe mbi 15 të tjera të dështuara.
Sipas SPAK, hetimi ndaj organizatës kriminale që drejtohej nga dy vëllezërit Çopja ka nisur që në vitin 2022, por përplasjet e tyre me rivalët datojnë shumë më herët.
Veprimtaria kriminale e vëllezërve daton rreth viteve 2006-2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla lëndë narkotike të llojit kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë/zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.
Si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi dhe për të zotëruar tregun nisën eliminimin e kundërshtarëve, nëpërmjet vrasësve me pagesë.
Përplasja e parë ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar, pas humbjes së 50 kilogramëve kokainë nga Endrit Alibej që njihej ndryshe dhe si “Tarzani”. Pasi ky i fundit nuk u përgjigj për 50 kilogramët e kokainës, që në treg mund të kapë vlerën e 500 mijë eurove, nisi përgatitja e atentatit ndaj tij.
Dhe më 29 dhjetor të vitit 2018, në Bradashesh u qëlluan për vdekje tre persona, mes tyre edhe Endrit Alibej. Viktimat e tjera ishin Arben Dylgjeri, daja i ‘Tarzanit’ dhe shtetasi turk Erdal Duranay.
Një vit më vonë, po në muajin dhjetor, në vitin 2019, u ekzekutua djali i hallës së Endrit Alibejt, Andi Zylyfi.
Mesnatën e 1 korrikut, Klevi dhe Aldo Baho, vëllezër u qëlluan me breshëri plumbash dhe njëri prej tyre vdiq. Klevi mbeti i vrarë, ndërsa Aldo u plagos rëndë.
Një ditë pas këtij atentati, RENEA zbarkoi në Elbasan ku dhe pas një karburanti në emër të biznesmenit Ilir Beko gjeti një arsenal me armë të softistikuara, kallashnikovë, snajpera modern dhe 5 pistoleta me silenciator.
Pikërisht në këtë karburant, ku u gjet dhe depoja e armëve, qëndronin herë pas here edhe anëtarë të këtij grupi kriminal të Çopjave.
Më 9 prill të vitit 2019, dora e Çopjave u vu sërish në skenë. Këtë here ndodhi grabitja në Aeroportin e e Rinasit, ku u morën plot 10 milion euro dhe në përplasje me autoritetet mbeti i vrarë Admir Murataj.
Në këtë grabitje bashkëpunuan Talo Çela dhe Nuredin Dumani, por këto para përçanë dhe miqtë e ngushtë.
Të dy thurën planin e atentatit për të vrarë personat të cilëve u kishin besuar pjesë të parave të grabitura. Përmendim këtu vëllezërit Haxhia, Viktor dhe Besmir, si dhe Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkoza, të cilët kishin një pikë servisi ku ishin modifikuar mjetet e përdorura në grabitjen e Rinasit e jo vetëm.
Qëllimi ishte të kishte sa më pak dëshmitarë.
Në pranga si ekzekutor është vënë Altin Ndoci dhe Klevis Alla, që zbërthyen të dyja krimet dhe bënë lidhjen me grupin e Çopjave.
Nuk do të vononte shumë dhe skuadra e ‘Tarzanit’, do të lëvizte gurët e tij. Vërtet Endrit Alibej u vra, por la pas Erion Alibejn, që tashmë është në pranga për organizimin e tre atentateve. Alibejt akuzohet se ka organizuar vrasjen e Emiljano Ramazanit, Regis Runajt dhe Bujar Çelës. Regis Runaj, ishte mik i Ramazanit dhe kishte rënë në gjurmët e autorëve të vrasjes së tij, ndërsa Bujar Çela ishte vëllai i Talo Çelës. Por edhe pse të shkëputur nga bota e krimit, të dy paguan shtrenjtë njohjet me të përfshirët.
Vrasja e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, ishte mënyra e Erion Alibejt për të marrë hak për vrasjen e vëllait të tij, Endritit, që ia morën jetën në sy të gruas dhe fëmijëve. Erion Alibej, kishte mësuar se Talo Çela dinte gjithçka rreth ekzekutorëve të Endrit Alibejt, por nuk ia kishte treguar. Kështu, duke vrarë Bujar Çelën, mori hak.
SPAK thotë gjithashtu se ka arritur të zbardhë autorët e vrasjes së Klevis Kapllanit, ngjarje e ndodhur në Rrogozhinë.
Nuredin Dumani ka treguar se në momentin kur është vrarë Kapllani ai ka qenë në komunikim me të në "Sky". Sipas Dumanit, vrasja është kryer nga njerëzit e Manahasës, pasi njëri prej vëllezërve e ka monitoruar Kapllanin në ambientin e lokalit të Nel Godinit në Sinaballaj.
Në lidhje me pastrimin e parave, rezulton se kjo organizatë kriminale ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme, nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke, në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Gjithashtu, evidentohet se, Franc Çopja, në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.
Flitet dhe për një "figurë qëndrore" që u pastronte paratë vëllezërve,që është identifikuar si Miklen Mici. Ajo që është vënë në pranga është edhe motra e Regis Runajt, e cila ishte sekretarja e ish-gjyqtares Pajtime Fetahu dhe dyshohet se u kalonte të dhëna secrete vëllezërve Çopja. Vetë Fetahu është lënë në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, pikërisht për përfshirjen me anëtarët e këtij grupi kriminal.
Por, vëllezërit Çopja nuk e kishin ndalur me kaq rekrutimin e personave nga institucionet e drejtësisë. Në pranga është vënë edhe Agostin Cinari, shefi i krimeve në Pogradec dhe dhe Martin Musaj, nëndrejtori i një burgu.
Ku ndodhen sot vëllezërit Çopja?
Të dy janë vënë në pranga dhe ndodhen pas hekurave. Franc Çopja ndodhet në burg në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja është arrestuar në Dubai. Tashmë dyshja kërkohen edhe nga Shqipëria për një sërë atentatesh, pas operacionit ‘Plumbi i artë 2’ që u zhvillua dhe u lëshuan 33 urdhërarreste, por vetëm 15 prej tyre janë ekzekutuar.