
MEMALIAJ- Personat që shihni në foto janë Marsel Çela, 47 vjeç dhe Gledi Muka, 36 vjeç, të cilët mbrëmjen e djeshme mbetën viktima të breshërisë së plumbave në Memaliaj, që kishin objektiv vrasjen e Shyqyri Kalemit.
Çela ka qenë duke konsumuar kafe në lokalin pranë shtëpisë së tij, ndërsa Gledi Muka, ishte në fundin e një dite të lodhshme në punë, pasi ishte kamarier në biznesin ku ndodhi masakra me armë.
Autorët që lëviznin me një mjet BMW, pas marrjes së informacionit se në lokal ndodhej Shyqyri Kalemi dhe vëllai i tij Arturi, janë nisur në drejtim të lokalit, ku kanë qëlluar në mënyrë të pamëshirshme, duke vrarë përveç objektivit të tyre dhe dy viktima të pafajshme.
Në momentin e atentatit, edhe për shkak të orës së vonë, në lokalin pranë Bashkisë së Memaliajt, ka pasur pak klientë, pasi në një kohë tjetër të ditës, pasojat e tragjedisë mund të ishin dhe më të rënda.
Pas vrasjes së trefishtë, autorët janë larguar në drejtim të Mallakastrës, ku kanë djegur dhe mjetin e përdorur në atentat, ndërkohë që pavarësisht kërkimeve të policisë, deri tani nuk ka asnjë gjurmë prej tyre.
Pista kryesore e hetimeve të policisë është ajo e hakmarrjes. /ZËRI