
MEMALIAJ- ZËRI mëson detaje të reja nga atentati i trefishtë në Memaliaj, ku objektiv ishte shtetasi Shyqyri Kalemi, djemtë e të cilit kanë qenë më parë shënjestër e atentateve të dështuara. Pista kryesore në të cilën po heton policia është ajo e hakmarrjes, pas një zinxhiri vrasjes mes dy grupeve që drejtojnë trafikun e kanabisit nga jugu i Shqipërisë drejt Greqisë.
Burime bëjnë me dije se autorët janë informuar nga persona të tjerë se Shyqyri Kalemi, bashkë me të vëllanë e tij Arturin ishin duke pirë kafe në ambientet e jashtme të bashkisë Memaliaj. Në ato momente, ata kanë shkuar drejt lokalit me një mjet BMË, ku ka zbritur një prej autorëve dhe ka qëlluar me breshëri, duke mos kursyer askënd, dhe duke shkaktuar një prej masakrave më të rënda të viteve të fundit.
Viktimë veç Shyqyri Kalemit, 74-vjeç, mbetën dhe Marsel Çela, 47 vjeç (lidhje shoqërore e viktimave), si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pas ngjarjes, Policia gjeti një makinë të djegur në zonën e Mallakastrës, nga dyshohet të jenë larguar dhe autorët.
Operacioni i kërkimit mësohet se është shtrirë në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Berat, ndërsa në terren krahas efektivëve të drejtorive të policisë të secilit qark, janë angazhuar edhe reparte të RENEA. Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen apo të jenë të lidhur me të.
Ngjarja dyshohet se është pjesë e zinxhirit të hakmarrjeve mes dy fiseve në jug të vendit, që e kanë pikënisjen në Qershorit të vitit 2022 kur mbeti i vrarë në Tiranë me shpërthim të telekomanduar Aleksandër Sadikaj./ZËRI