Aktualitet

FOTO KOMPROMENTUESE/ Gent Sejko takon deputetin Eduart Shalsi para dëgjesës te 'Ekonomia', negociatat me mediat dhe gazetarët

Takimi informal është zhvilluar në një lokal të kryeqytetit, por duket se shkaku i takimit është shumë i qartë: mikrokreditë!

k.m.
FOTO KOMPROMENTUESE/ Gent Sejko takon deputetin Eduart Shalsi para
Eduart Shalsi dhe Gent Sejko

TIRANË- Të martën, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka për detyrim që të paraqitet në Komisionin e Ligjeve dhe të japë llogari para deputetëve lidhur me skandalin e mikrokredite, i cili denoncohet prej kohësh nga ZËRI. Por 'punën përgatitore' për përballjen me ligjvënësit Sejko duket se e ka nisur prej kohësh. ZËRI ka siguruar një foto tijën me kreun e Komisionit të Ekonomisë, gjithashtu edhe deputetin e Partisë Socialiste, Eduart Shalsin. Takim që ndodh para seancës dëgjimore, e cila është caktuar në datën 21 maj, ora 11:00.

Takimi informal është zhvilluar në një lokal të kryeqytetit, por duket se shkaku i takimit është shumë i qartë: mikrokreditë! ZËRI gjithashtu ka mësuar se ndërkohë që ZËRI dhe media të tjera denoncojnë skandalin, vetë guvernatori ka nisur takime me gazetarë, duke shpjeguar dhe justifikuar rolin e tij në skemën e mashtrimit, por edhe duke kërkuar mbështetje.

FOTO KOMPROMENTUESE/ Gent Sejko takon deputetin Eduart Shalsi para
Eduart Shalsi dhe Gent Sejko

Ndërkohë që opozita hesht për skandalin dhe të vetmin akt që ka bërë për të kërkuar llogari ka qenë kërkesa për një seancë dëgjimore, ka qenë media ajo që ka denoncuar gjithë çfarë ka ndodhur me paratë e shqiptarëve. Mirëpo, për gjithë këtë rrjet mashtrimi, Prokuroria e Tiranës dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë nisur hetimet. SPAK po heton Sejkon për akuzën e shpërdorimit të detyrës, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, por ende nuk është paraqitur për të dhënë dëshminë e tij. 

Deri më tani, vetëm njëherë ka dalë në një konferencë për shtyp duke tentuar që të sqarojë rolin e tij. Megjithatë duket se tani i është futur punës seriozisht për të mos u prekur nga i gjithë skandali që ka ndodhur 'nën hundën' e tij si guvernator. 

Por çfarë është ky skandal për të cilin flitet pak?

Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!/ZËRI

Poll

MOS HUMB