
TIRANË- Vendi ynë është përballur me një situatë të vështirë nga zjarret gjatë 24 orëve të fundit, ku u raportuan 26 vatra zjarri. Situata sot paraqitet e qetë, të gjitha vatrat e zjarrit janë shuar, por dëmet janë të mëdha dhe mbahen nën monitorim.
Këto vatra zjarri janë evidentuar në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Lezhës, Shkodrës, Dibrës, Korçës, Tiranës, Kukësit, Durrësit e Beratit. Sa i përket Durrësit, flakët shkatërruan një ditë më parë tregun industrial në zonën e plazhit. Sot tregtarët po largojnë sendet e djegura, ndërsa administratori ka nisur punën për riparimin e llamarinave.
Pronari i tregut në zonën e plazhit të Durrësit është proceduar në gjendje të lirë, pas zjarrit masiv që përfshiu ambientet e tregut një ditë më parë. Sipas burimeve zyrtare, ndaj tij rëndon akuza për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, ndërkohë që hetimet për shkaqet e zjarrit vijojnë. Zjarri ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në mallra dhe pajisje.
Problematike situata u paraqit edhe në Vlorë, ku u desh ndërhyrja nga ajri për të vendosur flakët në kontroll. Rreth 30 hektarë tokë me bimësi, shkurre si dhe 600 rrënjë ullinj u dogjën një ditë më parë fshatrat e Vlorës, Hoshtimë, Kërkovë dhe Bestrovë. Banorët lanë banesat e tyre, për t’u rikthyer pas mesnate kur situata u normalizua.
Zjarret janë shuar dhe në fshatrat e Lezhës por kanë lënë pas dëme të mëdha në sipërfaqe pyjore dhe pemëtari. Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, thotë se për dy raste janë referuar materiale në Prokurori, pasi dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme./ZËRI