
TIRANË- Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Igli Allmuça ka bërë një denoncim lidhur me ndërtimin e një pallati, ngjitur me banesën e tij në lagjen "Ali Demi". Në rrjetet e tij sociale, ish-futbollisti ka ndarë pamjet sesi një firmë ndërtimi, teksa ngre një pallat ngjitur me banesën e tij, i ka bllokuar dy dritare, njërën në dhomën e djemve të tij. Teksa shpjegon se është bllokuar në banesën e tij për 8 muaj, paralajmëron se do ta ndjekë shkeljen edhe në rrugë ligjore, bashkë me të atin e tij.
"Dua të pasqyroj këtë situatë që po ndodh ngjitur me shtëpinë time në lagjen "Ali Demi". Në këto foto që kam hedhur, një firmë ndërtimi ka marrë leje 0 metër me shtëpinë time duke më bllokuar dy dritare, dy dritaret e tjera në foto janë të pronarëve të tjerë. Në një nga këto dritare është dhoma e fëmijëve të mi, të cilën e kam pasqyruar edhe me video. Unë nuk e di si është marrë kjo leje dhe jam i habitur ashtu si çdokush që e ka parë dhe besoj çdokush që do e shohë,"-shkruan ndër të tjera Allmuça në postimin e tij në rrjetet sociale.
PAMJET NGA NDËRTIMI:
Në këtë zonë po ndërton kompania "Keam International", e zotëruar me nga 50% të aksioneve nga Sali dhe Astrit Xhebrahimi./ZËRI