
LUSHNJE- Dëme të mëdha materiale ka shkaktuar zjarri i një ditë më arë në qendrën tregtare të Lushnjës.
Në pamjet e siguruara nga ZËRI, shihet se kati i katërt ku ndodhej biznesi është shkatërruar totalisht, ndërkohë që dëme ka edhe në pjesën tjetër të godinës. Në video shihen xhamat e thyer të godinës. Ndërsa si pasojë e zjarrit dhe nxehtësisë, pjesës së pasme të pallatit i janë plasaritur muret.
Vendngjarja vazhdon të jetë e rrethuar me kordon sigurie dhe askush nuk lejohet të kalojë. Pas 10 orësh në luftë me flakët, zjarri në qendrën tregtare Metropol në Lushnje është shuar totalisht, duke lënë pas dëme të pallogaritshme materiale. 42 persona përfunduan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, mes tyre edhe 3 punonjës të ekipit të zjarrfikësve.
Dyshohet se shkak për rënien e zjarrit mund të jetë bërë mbinxehja e kondicionerëve por nuk përjashtohet as mundësia e një shkëndije elektrike./ZËRI