
TIRANË- Kanë mbërritur në Gjykatën e Posaçme avokatët mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa seanca ka nisur në drejtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Vetë Berisha ka zgjedhur që të mos jetë i pranishëm në këtë seancë, pasi paralelisht ka njoftuar një aktivitet në selinë e Partisë Demokratike.
Burime bëjnë me dije për Zërin, se avokatët e Berishës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Gjoka nga seanca.
Ata pretendojnë se gjyqtarja është në konflikt interesi, për shkak se sipas tyre është shkarkuar nga Berisha, kur ai ka mbajtur postin e presidentit dhe njëherësh ka qenë në krye të KED.
Seanca e sotme pritet të jetë maratonë, edhe pse do të jetë me dyer të mbyllura.
Vetë Berisha ka njoftuar një aktivitet më të rinjtë në selinë e Partisë Demokratike, duke injoruar kështu çdo vendim të mundshëm që mund të japë ndaj tij Gjykata e Posaçme.
/ZËRI