Aktualitet

Çfarë janë ‘Brigada e Veriut’ dhe ‘Mbrojtja Civile’ në Kosovë?

Kosova i ka shpallur organizata terroriste, por kush janë e kush ndodhet pas tyre?

D.XH

Çfarë janë ‘Brigada e Veriut’ dhe ‘Mbrojtja

MITROVICË - Autoritetet e Kosovës akuzojnë se personat që kanë marrë pjesë në sulmin terrorist më datë 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit janë serbë, anëtarë të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Qeveria e Kosovës, me një vendim të datës 29 qershor, i ka konsideruar organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si terroriste. Dy organizatat numërojnë me qindra anëtarë, që janë kryesisht serbë lokalë nga veriu i Kosovës. Sipas ligjit, kur një organizatë ndalohet nga shteti, ndalohet aktiviteti i organizatës.

Çfarë është dhe çfarë bën Mbrojtja Civile?

Që nga viti 1999, në territorin e Kosovës kanë operuar struktura ilegale serbe, në forma nga më të ndryshmet, që urdhërohen nga Beogradi. Ndër ta është edhe Mbrojtja Civile, e cila është shfaqur publikisht në vitin 2011. Në atë kohë, disa persona me uniforma të zeza, ku shkruhej “Mbrojtja Civile”, janë vërejtur në rrugët e Mitrovicës së Veriut, zonë e banuar më së shumti nga ana e serbëve.

Në vitin 2012, me dhjetëra pjesëtarë të Mbrojtjes Civile kanë kryer ushtrime në sheshet qendrore në Mitrovicën e Veriut, duke pasur reagime të shumta në Prishtinë. Në nëntor 2012, dhjetëra pjesëtarë të këtij formacioni kanë kryer ushtrime në sheshet kryesore në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe. Një vit më vonë, pjesëtarë të Mbrojtjes Civile janë parë edhe para qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut, por janë larguar nga Policia e Kosovës.

Mbrojtja Civile në Serbi është nën urdhërat e Ministrisë së Brendshme të shtetit serb. Roli i saj është të reagojë në situata rreziku, në përmbytje, zjarre, tërmete etj. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka vlerësuar se Mbrojtja Civile përbën rrezik për sigurinë dhe stabilitetin e Republikës së Kosovës. Në fillime, organizata ka pasur jo më shumë se 500 anëtarë, por numri i tyre ka ardhur në rritje.

“Mbrojtja Civile” ka shkuar si çështje deri në Bruksel, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, teksa anëtarët e organizatës kanë pranuar të jenë pjesë e strukturave të shtetit të Kosovës, por sesa ata e shohin veten pjesë të shtetit të Kosovës, është diçka e vërejtur me tepër dyshime. Më 29 maj të këtij viti, tensionet në veri, në Zveçan, kanë shkuar deri në dhunë midis protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.

Më 13 qershor, si organizator i dhunës ndaj KFOR në Kosovë, u arrestua serbi Milun Milenkoviç. Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla e ka quajtur Milenkoviçin si “drejtues i formacionit kriminal të Mbrojtjes Civile dhe prijës i bandave kriminale në veriun e Kosovës”.

Çfarë është Brigada e Veriut?

Në vitin e kaluar në veriun e Kosovës janë vërejtur disa grafite, me logon “Brigada e Veriut” në gjuhën serbe. Brigada e Veriut është një organizatë më “e fshehtë” sesa Mbrojtja Civile. Përpos disa grafiteve që janë parë nëpër rrugë të Mitrovicës, nuk dihet se kush e drejton këtë grupim dhe kush qëndron pas saj.

Për këtë formacion, ka folur edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Ai ka thënë se Brigada e Veriut janë tifozët e Crvena Zvezdës në Serbi. Ky grup ndërroi emrin në “Patriotizam”, pasi Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste, ndërsa në Veri janë parë grafite ku shkruhej vetëm “Brigada Veriu”.

Çfarë ndodh, kur Kosova shpall organizatat si terroriste

Me ligjin në Kosovë, në rast se organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejshëm i tyre do të kishte pasoja të rënda ligjore.

Kodi Penal i Kosovës e cilëson si “terrorizëm”, ekzekutimin e një apo më tepër akteve të përgjakshme me qëllim “frikësimin serioz të popullsisë, kushtëzimin e paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimin apo shkatërrimin e strukturave politike, kushtetuese apo ekonomike e shoqërore të Kosovës”.

Për të cilësuar një vepër si “terroriste”, duhet të ketë element te veprave penale si “vrasja”, “rrëmbimi”, transporti apo përdorimi i armëve”, “eksplozivi i armëve kimike, biologjike” etj. Kryerja e akteve terroriste dënohet me jo më pak se pesë vjet burg, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave, autori dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim. Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, autori dënohet me së paku 15 vjet burg.

Kurse, për ofrimin e ndihmës në kryerje të akteve terroriste, dënimi shkon deri 10 vjet. Rekrutimi për terrorizëm dënohet deri në 15 vjet burg, ashtu siç dënohet edhe trajnimi për kryerjen e veprave terroriste. Kushdo që shpallet fajtor se ka organizuar apo drejtuar një grup terrorist, dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim deri në 20 vjet. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB