
TIRANË- Është shtyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca për çështjen e sterilizimit, ku gjashtë të arrestuar kanë ankimuar masat e sigurisë.
Shkak i shtyrjes së seancës, e cila tashmë do të mbahet nesër (e mërkurë) ora 09:00, është bërë mungesa e Plarent Ndrecës, avokati i Arbën Gjatës.
Të dyshuarit e dosjes së sterilizimit kanë kërkuar ndryshim mase sigurie, në mesin e të cilëve janë dhe ish- zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët janë dënuar me arrest me burg.
Gjithashtu ndryshim të masës së sigurisë ka kërkuar edhe Marsela Serjani dhe Saimir Kadiu, të cilët janë në arrest shtëpie. Ndërsa redaktori Arben Gjata dhe Genc Burazeri, të dënuar me masën e detyrimit me paraqitje, e kanë kundërshtuar këtë masë duke kërkuar heqje të kësaj mase.
Dy të arrestuarit e tjerë, Naile Ajazi dhe Petro Mersini që ndodhen nën masën detyrim paraqitje nuk e kanë kundërshtuar masën e sigurisë, e vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga Nisma Thurje dhe Partia Demokratike. Denoncuesit pretendonin se kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale firmosur mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Service” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik. Një auditim i KLSH nxori se pajisjet me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Pak javë më parë ishte Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ajo qëi kërkoni prokurorisë të shtrinte hetimet edhe tek ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani në lidhje me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale./Zëri.ai