
DUBAI- Armando Pacani, një shqiptar i shpallur në këkim si pjesë e një grupi kriminal në Brazil që merrej me trafik ndërkombëtar droge, është vënë në pranga. Pacani është arrestuar në Dubai. Pacani ishte në listën e kuqe të të shumëkërkuarve nga Interpoli dhe u prangos në datën 29 korrik në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Tashmë autoritetet e Brazilit kanë 30 ditë kohë për të dërguar kërkesën zyrtare për ekstradim.
Armando Pacani, sipas hetimeve në Brazil, është ‘koka’ e një organizate kriminale braziliane që dërgonte kokainë në Evropë. Sipas një ankese nga Ministria Federale Publike, Pacani ishte marrësi i një pjese të madhe të 17 tonëve kokainë të pastër që grupi kriminal me bazë në portet në jug të vendit dërgonte në Evropë për një periudhë dyvjeçare.
Nga hetimet vlerësohet të ketë nxjerrë në treg ‘mall’ me vlerë 3.8 miliardë dollar, përmes 13 ngarkesave me kokaine nga vendet e Andeve, nga portet e Rio Grande, në Rio Grande do Sul dhe Itajaí, në Santa Catarina.
Nga hetimet rezulton gjithashtu se një shtetas paraguaian e furnizonte ngarkesa me kokainë të blerë në Bolivi për pronarët e kompanive të logjistikës detare në Brazilin jugor, lloje narkosipërmarrësish, të cilët i dërgonin në Evropë.
Një anëtar i mafies shqiptare, Pacani emërohet nga MPF si përgjegjës për monitorimin e “logjistikës së trafikut ndërkombëtar të drogës, nga furnizimi në vendet e Andeve, përmes magazinimit dhe punës në port, transportit detar, deri në marrjen në Evropë”.
Hetimi që solli operacionin “Hinterland” filloi në mars 2021, pas një sekuestrimi prej 316 kilogramësh kokainë në Hamburg të Gjermanisë. Pas konfiskimit të drogës, u identifikua një furnizues me kombësi paraguajane, i cili po merrte kokainën e prodhuar në Bolivi dhe vende të tjera dhe po hynte në Brazil përmes Ponta Porã. Në Europë, ishte përgjegjës për shpërndarjen në vende të ndryshme të rajonit shqiptari Pacani, i cili deri në këto momente është konsideruar një ‘fantazmë’, pasi askush se ka kapur.
Të dhënat e imigracionit tregonin se Pacani hyri në Brazil në janar 2019 dhe u largua në gusht 2020, me një fluturim të Emirates nga San Paulo në Dubai dhe prej asaj kohe, askush nuk dëgjoi më asgjë për të, deri më sot, kur u vu në pranga.