
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zgjatur me 3 muaj afatin për përfundimin e hetimeve për ish-zv.kryeministrin, Arben Ahmetaj. Afatet hetimore përfundonin në datë 21 qershor, por për shkak të verifikimeve të tjera që duhet të bëjnë dy prokurorët e çështjeve Altin Dumani (kreu i SPAK) dhe Enkeleda Millonai, u vendos zgjatja e hetimeve me 3 muaj.
Me afatin e ri, dosja pritet që të dërgohet e plotë për gjykim në Gjykatën e Posaçme në muajin shtator. Gjithashtu, pas marrjes së vendimit, afati i ri i është komunikuar edhe avokatëve mbrojtës të Arben Ahmetaj.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit./ZËRI