
TIRANË- Agustin Lleshi, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për prodhim dhe trafik të lëndëve narkotike, është ekstraduar në Shqipëri. Lleshi ishte në arrati që prej vitit 2023, kur Gjykata e Lezhës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike të llojit Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, ngjarje e ndodhur pranë mbikalimit të Rrëshenit dhe goditur nga Policia vitin e kaluar. Interpol Tirana njoftoi finalizimin e një operacioni ekstradimi nga Zagrebi në Shqipëri, të Agustin Lleshit, 51 vjeç, lindur në Lezhë.
Njoftimi nga Interpol Tirana
Ekstradohet nga Zagrebi, një shtetas me masë sigurie “Arrest në burg”, nga Gjykata e Lezhës, për prodhim/shitje narkotikësh. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Kroaci, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, A. Ll., 51 vjeç, i lindur në Lezhë.
Gjykata e Lezhës, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në vitin 2023, dyshohet se ky shtetas ka qenë i implikuar në një rast të transportimit të një sasie lënde narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, rast i goditur nga Policia, te mbikalimi i Rrëshenit.