
VLORË- Një 38-vjeçar ka humbur jetën teksa punonte në kantierin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se 38-vjeçari ka rënë nga lartësia dhe ka ndërruar jetë në vend. Nga ana tjetër, Policia ka vënë në pranga një 45-vjeçar, i cili mban detyrën e administratorit të kompanisë së ndërtimit.
Gjithashtu, ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit U. S., 41 vjeç, po nga Tirana, me funksion përgjegjës i punimeve. Sipas Policisë, këta dy persona dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për masat e sigurisë në punë, duke sjellë si pasojë vdekjen e punonjësit.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme ligjore.
Ky është rasti i dytë që regjistrohet në Aeroportin e Vlorës, pasi në janar Nusret Xhoka, 60 vjeç, u aksidentua gjatë punës së tij dhe nga dëmtimet e marra, ndërroi jetë. Në pranga për këtë rast u vu drejtuesi i kamionit që përplasi Xhokën, Rrahman Sllamniku, 63 vjeç banues në Prishtinë.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi në nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2% i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.
Shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions” ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 100 milion dollarë. Gjatësia e pistës pritet të jetë deri në 3.2 kilometra dhe terminali i pasagjerëve do të ketë sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë.
Sipas vlerësimit të organizatave mjedisore Zona e Mbrojtur Vjosë-Nartë është një nga ekosistemet më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në Shqipëri dhe shtëpi e llojeve të rralla të kafshëve dhe bimëve. Zona është habitat për më shumë se 220 lloje shpendësh përgjatë vitit dhe ka një rëndësi të lartë edhe përtej rajonit, për sa i përket korridorit të shtegtimit të Adriatikut.