
KOSOVË- Tomë Dodaj është vënë në pranga nga Policia e Kosovës pasi akuzohet se ka siguruar armën e zjarrit me të cilën u qëllua dhe u vra Liridona Ademaj, ngjarje e ndodhur më 29 nëntor. Sinjali shkruan se emri i Dodajt ka dalë nga dëshmitë e tre të arrestuarve të tjerë. Bëhet fjalë për bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli, i cili porositi vrasjen, Granit Plava, autori i vrasjes dhe Kushtrim Kokalla, nipi i Naim Murselit, që bashkëpunoi në krim.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Plava.
Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit.