
PEQIN- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Peqinit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë kalasë së qytetit, pas një sherri për motive të dobëta mes 2 personave. Bëhet me dije se Leonard Elezi dhe Adriatik Çeka janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe në momentin e të shtënave i pranishëm ka qenë dhe kreu i bashkisë së Peqinit, Bukurosh Maçi.

Ishte kreu i bashkisë, ai që dyshohet se ka debatuar me Adriatik Çekën, i cili ka qëlluar disa herë me armë zjarri. Në vendngjarje janë gjetur 20 gëzhoja, të cilat dyshohet se i përkasin dy armëve të ndryshme. Sipas të dhënave të deritanishme, shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur me Leonard Elezit dhe Adriatik Cekës. Elezi i ka dalë në mbrojtje kunatit të tij kryebashkiaku i Peqinit. i cili ishte duke u konfliktuar me Cekën. Por sërish motivi nuk dihet. Nga pamjet filmike, nuk rezulton të jetë qëlluar në ajër, por drejt personave që ishin në vendin e ngjarjes.
E gjithë zona është rrethuar nga Policia dhe po kryen hetimet për të zbardhur shkakun e vërtetë të ngjarjes.

Gjithashtu, Policia ka sjellë edhe një njoftim zyrtar për ngjarjen, por nuk e ka përmendur kryebashkiakun si të pranishëm në konflikt.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 13:30, në lagjen "Xhami", dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet shtetasve L. E., 50 vjeç dhe A. C., 40 vjeç, dyshohet se ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në ajër. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë krehjen e zonës, me qëllim kapjen e shtetasve L. E. dhe A. C. Ndërkaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit. Fatmirësisht nuk raportohet për të plagosur nga të shtënat me armë zjarri dhe policia po vijon punën për kapjen e personave të përfshirë në konflikt.
Ndërsa edhe ai vetë nuk ka bërë asnjë reagim përgënjeshtrues./Zëri.ai