
TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka përmbledhur raportin për vitin 2023 para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por nuk la pa komentuar të ashtuquajturat sulmet e politikës ndaj organeve ligjzbatuese. Fillimisht, para të gjithë kolegëve të tij, kryeprokrurori e ka cilësuar vitin 2023 si sfidues për shkak të mungesës së hetuesëve, vakanca këto që i ka shkaktuar Vettingu, por edhe për shkak të ndryshimit të hartës gjyqësore. Sipas tij, sot në detyrë janë 198 prokurorë në total, pak më shumë se 60% e kapacitetit (rreth 120 hetues minus), por shpreson se brenda 3-4 viteve të ardhshme, situata do të përmirësohet nga prurjet e Shkollës së Magjistraturës. Megjithatë, pavarësisht mungesave, ka pasur edhe ndër ta që kanë bërë një punë të dalluar, ndër to, Çela veçon Prokurorinë e Shkodrës dhe atë të Kukësit, që pavarësisht problematikave kanë përfunduar mbi 65% të procedimeve.
"Viti 2023 ishte një vit sfidues për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm për shkak të çështjeve administrative dhe procedurale që lidheshin me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe vijimit të uljes së numrit të prokurorëve si pasojë e pezullimit apo shkarkimit gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Megjithatë, përpjekjet dhe profesionalizmi i prokurorëve në të gjithë nivelet pavarësisht ngarkesës, dhe bashkëpunimi institucional dhe ndërinstitucional, dhanë rezultate në punën hetimore dhe zbatimin e rekomandimeve drejtuar prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, siç do të paraqitet në vijim. Në vitit 2023 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 198 (përfshirë dhe emërimet në korrik të 26 magjistratëve të rinj). Ky tregues evidenton strukturën faktike me 62 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 38 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: - 177 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (64 % e strukturës organike); 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (38 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik (65 % e strukturës organike),"-shtoi prokurori. Por sqaroi se deri më tani nuk është prekur administra duke vlerësuar rolin e oficerëve të policisë gjyqësore.
"Nuk është prekur administrata, ky është një numër i caktuar nga Parlamenti. Herën e fundit na shtuan 30 për të përballuar mbingarkesën e punës së prokurorëve. Ka qenë një objektiv i herëshëm i Prokurorisë. Sot në të gjitha prokuroritë kemi një numër të barabartë të OPGJ-ve dhe Prokurorëve. Këto kanë luajtur një rol pozitiv."
Më pas, Çela theksoi se përgjatë vitit 2023 ka pasur një ulje të kriminalitetit në vend.
"Situata është e komplikuar. Tendenca është drejt uljes. Tani një element që duhet ta merrni në konsideratë është fakti që këto shifra janë bilanc i punës së Prokurorisë që duhet t'i bësh pa shifra. Së dyti, ka shumë elementë që duhet ti merrni në konsideratë. Pyetja juaj përkon më shumë bazë informacioni që kemi sot në dispozicion. Do na duheshin 3 vite për të pasur një sistem efikas."
Pasi përfundoi me raportimin, i cili ishte bërë me dije në media edhe disa ditë më parë, Çela ndaloi për t'ju përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve, lidhur me ndryshimet e Kodit Penal, për të cilin u shpreh se mund të jetë i parakohshëm dhe se ai aktuali është i kompletuar, por edhe për sulmet e politikës. Më konkretisht është vënë përballë akuzave që kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë ndaj Strukturës së Posaçme dhe Krimit të Organizuar. Por duke iu referuar reagimit të djeshëm të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Çela tha se përgjigjia ishte dhënë.
DEKLARATA PARA MEDIAS:
Olsian Çela: Kodi Penal aktual i është përgjigjur të gjitha sfidave, ajo që ka qenë pozitive ka qenë tempizmi i duhur për t'u përgjigjur. Sot kemi një kod të kompletuar. Një kod i ri penal është i parakohëshëm në Shqipëri.
Ku është prokuroria me pastrimin e parave?
Olsian Çela: Ju njohët me lajmin që Shqipëria doli nga lista gri, është një lajm pozitiv dhe nuk ka ardhur rastësisht. Çështja është marrë seriozisht dhe ka nisur që të sjellë rezultate, por nuk është një sfidë që ka përfunduar. Procesi i Vettingut ka sjellë vakanca, nuk po flasim për një prokurori që shkëlqen, po flasim për mbijetesë. Shoh elementë pozitivë, po të shikoni shifrat e atyre për gjykim, tregon që sistemi funksionon, por ka padiskutim vend për të bërë më mirë. Harta e re do të sjellë një prokurori edhe më performuese.
KLP për Metën, cili është kometi juaj për gjuhën e politikës ndaj SPAK?
Olsian Çela: Përgjigjen e ka dhënë KLP. Sa i përket bashkëpunimit me SPAK e kam përmendur disa herë që është në nivele shumë të mira është përformanca që kemi arritur është e pritshme. Harta gjyqësore ka qenë zgjidhje optimale sepse na lejon që të ruajmë funksionalitetin, që të aministratojmë burimet financiare. Të gjithë këto elementë shkojnë në mirëfunksionimin e elementëve të prokurorisë. Rezultatet janë të kënaqshme dhe besoj se do të vijë duke u konsoliduar. Sot në shifrat që prezantuan ishim 62% e stafit që ne kemi. Nëse do të shikojmë prurjet që ka shkolla e Magjistraturës, mendoj që për 3-4 vitet e ardhshme do të kemi një situatë më normale që do të sjellë rezultate për të gjithë sistemin.
Para Olsian Çelës, në KLP për të raportuar për vitin që lamë pas ishte dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili gjithashtu iu përgjigj pyetjeve të kolegëve. Më pas, drejtuesit e këtyre dy institucioneve pritet që të dalin edhe para Kuvendit të Shqiërisë për të bërë bilancin e tyre./ZËRI