
PRISHTINË – Gazetari nga Prishtina, Ridvan Berisha, gjatë një interviste në ‘Breaking’ në TCH foli në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt në Kosovë. Ai dha detaje nga hetimet për vrasjen e Liridonës. Berisha theksoi se babai i Naim Murselit është ftuar në Prokurori. Ai shtoi se në lidhje me rastin e bujshëm, ka pasur hetime edhe në natën e Vitit të Ri.
Gazetarja: Ditët e fundit është folur edhe për arrestime të tjera, në lidhje me këtë ngjarje kaq të rëndë. Keni informacione më të detajuara?
Ridvan Berisha: Vetëm këtë informacion po të jep. Task Forca ka punuar edhe në natën e Vitit të Ri për këtë çështje, duke përgjuar të gjithë strukturën e personave, që mund të kenë biseduar, që janë të dyshuar. Me një intensitet të lartë, organi i akuzës po vijon hetimet, së bashku me policinë. Me qëllim, Prokuroria po e mban të bunkerizuar procesin, duke mos dhënë detaje, sepse duket se ngjarja është shumë e ndjeshme. Mund të ketë persona të tjerë të përfshirë.
Gazetarja: Pra, ka persona të tjerë të përfshirë? Priten arrestime të tjera?
Ridvan Berisha: Mund të ketë.
Gazetarja: Kurioziteti i publikut është i madh. Janë persona të veshur me pushtet?
Ridvan Berisha: Mund të ketë me pushtet, mund të ketë pa pushtet. Por, Prokuroria po bën punë intensive për të mbledhur prova materiale, ngado që çojnë ato dhe kudo që çojnë. Mbi të gjitha duhet ndërtuar mozaiku i arsyes pse ndodhi akti mizor.
Gazetarja: Gazetarët në Kosovë unë e di se flasin shumë për këtë çështje. Cila është pista ku po punohet më së shumti?
Ridvan Berisha: Në këto çështje është e vështirë të flitet me versione hipotetike, për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Kjo sepse versionet mund të rëndojnë familjen e së ndjerës. Çdo version i pavërtetë do të ishte në dëm të familjes së Liridona Ademajt.
Gazetarja: Babai i Naim Murselit është pyetur më shumë se njëherë në Prokurori?
Ridvan Berisha: Po. Është pyetur dhe besoj se do të pyetet përsëri. Ka arsye Prokuroria, për të plotësuar mozaikun e saj, në hetimin e ngjarjes. Sa herë të duhet, organi i akuzës do e ftojë atë dhe këdo tjetër. Dua të them se Policia e Kosovës duhet të marrë seriozisht çdo denoncim. Trendi i dhunës ndaj grave është rritur ndjeshëm. Ka disa raste, kur policia luan rolin e ndërmjetësin me autorin, duke relativizuar situatat.
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI/