
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri në Tiranë në ditën e parë të Vitit të Ri. Autori i plagosjes së Agim Jazaj, Saimir Xhafa, jashtë xhamisë së Xhurës në Tiranë, mësohet se prej kohësh kishte konflikte me të plagosurin.
Burime bëjnë me dije se Agim Jazaj e fyente dhe bullizonte gjithë kohën Xhafën, sidomos gjatë kohës para ose pas faljes në xhami.
Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, në ditën e ngjarjes mes tyre fillimisht ka pasur konflikt brenda ambienteve të xhamisë dhe më pas situata ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit në ambientet e jashtme, ku Saimir Xhafa ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar 3 herë në drejtim të Jazajt, duke e lënë të plagosur në bark.
Ndërkohë, autori Saimir Xhafa akoma nuk është lokalizuar nga policia për t'u arrestuar.
Agim Jazaj u qëllua me armë mesditën e 1 Janarit 2024 pranë Xhamisë 'Xhura' tek vendi i njohur si ‘Oxhaku’ në Tiranë. Policia ka identifikuar autorin, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes menjëherë pas krimit. Ndërkohë autoritetet kanë vënë në dispozicion 5 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e Saimir Xhafës, të dyshuar si autor duke shpërndarë dhe foto të autorit./ZËRI