
TIRANË- Shokët e Klaudio Prendit janë marrë në pyetje nga Policia e Shtetit pasi kanë qenë brenda lokalit, përballë vendit ku ka ndodhur ngjarja. Gazetarja Anila Hoxha ka bërë me dije se shokët e të riut, të cilët janë edhe efektivë të Policisë së Shtetit, kanë pranuar se kanë qenë në lokal me 30-vjeçarin, i cili u çua para tyre nga tavolina. Sipas tyre, Prendi nuk priste që t'i ndodhte asgjë, pasi nuk u kishte shfaqur asnjë shqetësim dhe nuk u kishte treguar se kishte ndonjë problem. Kjo pasi i ati, ish-gjyqtari Fran Prendi, pranoi se i biri kishte pasur konflikte për një borxh me vlerë rreth 15 mijë euro.
“Nuk na shprehu ndonjë problem dhe nuk ishte i shqetësuar. Kur po shkonim te makinat tona, dëgjuam për ngjarjen, nuk pamë asgjë,”- kanë deklaruar miqtë e tij.
Si ndodhi ekzekutimi i të riut në Tiranë?
Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, u vra me breshëri plumbash vetëm pak pas mesnatës së djeshme, fill sapo doli nga një lokal që ndodhej me miqtë e tij në zonën e Xhamllikut. Autorët, të cilët dyshohet se ishin 3, shoferi, qitësi dhe një person që i ka ndihmuar për t'u larguar nga vendi i ngjarjes e kanë ndjekur prej kohësh djalin e ish-gjyqtarit deri në momentin që ai ka dalë vetëm nga lokali. Sapo po hipte në mjetin e tij, ata kanë qëlluar. I riu mori plagë në kokë dhe në gjoks, të cilat rezultuan fatale për të, edhe pse miqtë e tij e dërguan menjëherë në spital. Tashmë, nga zona kanë marrë kamerat e sigurisë dhe po punohet për të zbuluar se cilët janë personat që planifikuan dhe kryen atentatin. Pista e borxhit që ka zbuluar i ati i viktimës është vetëm një prej atyre që po hetohen./ZËRI