Aktualitet

EKSKLUZIVE/ Drejtori i AAPSK mohon humbjen e 24 makinave të krimit

Versioni i drejtorit është pak i çuditshëm. Ai thotë se auditi i KLSH nuk është i saktë dhe se çdo makinë që është sekuestruar është në magazinë. Sipas tij, mjetet që mungojnë mund të jenë me vendim gjykate për tu sekuestruar por vendimet nuk janë ekzekutuar. Koni sqaron se sekuestrimin e makinës e bën Policia e Shtetit. 

Fjola Graçi
EKSKLUZIVE/ Drejtori i AAPSK mohon humbjen e 24 makinave të krimit
Ardian Koni, kreu i AAPSK

TIRANE- Ardian Koni, drejtori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, mohon dhe hedh poshtë gjetjet e auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, se institucioni i drejtuar prej tij ka në inventar 24 makina më pak nga sa duhet të kishte. "ZËRI.ai" shkoi sot në zyrën e Konit për të zhvilluar një intervistë duke i dhënë mundësinë kryeadministruesit të sqarojë opinionin publik për atë që ka ndodhur. Përballë gazetarit të Zëri.ai Edon Kuqi ishte drejtori Ardian Koni, që nuk pranoi të jepte një qëndrim në kamera. Megjithatë, pas disa përpjekjeve, "Zëri" mundi ta bindte drejtorin që të jepte një prononcim se ku janë 24 makinat që iu janë marrë atyre që akuzohen se janë të përfshirë në veprimtari kriminale. 

Versioni i drejtorit është pak i çuditshëm. Ai thotë se auditi i KLSH nuk është i saktë dhe se çdo makinë që është sekuestruar është në magazinë. Sipas tij, mjetet që mungojnë mund të jenë me vendim gjykate për tu sekuestruar por vendimet nuk janë ekzekutuar. Koni sqaron se sekuestrimin e makinës e bën Policia e Shtetit. 

Nuk ka ku të shkojë tjetër, ose ata e mbajnë në komisariate dhe kur bëjmë ne procedurat i dorëzojnë, por kur është me vendim gjykate dhe makina nuk është kapur në rrugë ose në objekte, atëherë mungon. Kjo është e vetmja arsye, por nuk jemi ne që i ndjekim automjetet. Automjetet i ndjekin OPGJ.  S'ka lidhje fare, çdo gjëështë shumë e saktë. Nëse ka ardhur vendimi i gjykatës, auditi i KLSh konstaton se me vendim gjykate ti ke kaq mjete, por ne kemi marrë kaq në dorëzim, 1, 2, 5 nuk janë gjetur. Policia nuk i ka gjetur, me karroatrec do ishin dërguar këtu për të mos patur probleme me subjektet. Ne bëjmë vetëm administrim. Ne vendimin e gjykatës, del urdhëri i prokurorit, na vjen ne në agjenci. Në bashkëpunim me OPGJ ne shkojmë dhe marrim në dorëzim atë që na jep OPGJ. Sekuestrimi është faza e parë deri në konfiskim jemi ne administratorët e pasurisë së shoqërisë, asetit, makinës, por gjithmonë kur na e dorëzojnë. Kur është puna te mjeti, mungojnë 24 mjete. Nuk kanë ku të shkojnë. Ne po e morëm shkon në magazinë. 

Në këtë mënyrë, Koni deklaron se përgjegjësia nuk bie mbi AAPSK por mbi Policinë e Shtetit, që sot i bie barra të sqarojë se ku janë 24 makinat që mungojnë. Kërkesës së KLSH për shkarkimin, Koni i përgjigjet duke thënë se ka vetëm 8 muaj që e drejton Agjencinë ndërsa rezultatet janë për një kontroll 5-vjeçar. 

Kërkesa e KLSh për shkarkimin: 

Do ta gjykojnë të tjerë persona. Ata kanë audituar një periudhë 5-vjeçare. në 5 vite unë kam vetëm 8 muaj administrator. Përveç meje, ata nuk kanë ngarkuar me përgjegjësi askënd. Unë jam administrator, magazinier... Kjo është të bësh punën tënde, unë kam bërë punën time, unë po shoh 8 muajt... Nuk është kështu, nuk ka logjikë të mungojnë. 

Por çfarë ka ndodhur? Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport të botuar 2 ditë më parë krëkonte të merreshin masa urgjente, pasi rezultonte se në AAPSK,mungojnë plot 24 makina që do të duhet të ishin në magazinë pas sekuestros. Raporti ka një qëndrim krejt tjetër nga ajo që thotë Koni se inventari iu referohet në total vendimeve të ekzekutimit. KLSH e ka bërë mjaft të qartë në raport se në inventarin e 31 dhjetorit duhet të ishin 23 makina të konfiskuara dhe 80 automjete të sekuestruara, por në kontroll janë gjetur vetëm 79 automjete. 

"Nga auditimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga përgjegjësi i sektorit të marrëdhënieve me institucionet, çështjeve juridike dhe provave materiale të AAPSK-së, gjendja e automjeteve të marra në dorëzim nga administratorët deri më datë 31.12.2022 rezulton si vijon: 23 automjete të konfiskuara dhe 80 automjete të sekuestruara. Ndërkohë, sipas përgjegjësit të magazinës gjendja e automjeteve deri më datë 31.12.2022 rezulton: 79 automjete të sekuestruara/konfiskuara të magazinuara. Pra, 24 automjete nuk rezultojnë të jenë dorëzuar nga administratorët në ambientet magazinuese të AAPSK-së, në kundërshtim me pikën 1, të nenit 20, të ligjit 34/2014, i ndryshuar dhe pikën 7, të nenit 14, të Rregullores së Brendshme të AAPSK,” thuhet në raport.

Ku avulluan 24 makina? "Zëri.ai" ka kontaktuar disa institucione dhe deri në momentin e botimit të këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB