
TIRANË- Një punonjës i grupit të inspektimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) është dhunuar këtë të enjte gjatë kohës që ishte në detyrë nga përgjegjësi i një subjekti ISP (Internet Service Provider). Ngjarja ka ndodhur pasi ndaj subjektit që sipas AMA-s, është i palincensuar janë marrë masa ndëshkuese. Lajmin për ngjarjen e ka bërë me dije vetëm kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.
Kjo e fundit përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se kjo është e paparanueshme, ndërsa shton se askush që shkel ligjin nuk do të shpëtojë pa u dënuar.
Postimi i Armela Krasniqit:
Dënoj me forcë dhunën e ushtruar sot ndaj një punonjësi të AMA-s, në ambjentet e institucionit, nga përfaqësuesi i një subjekti ISP, i ndëshkuar sipas ligjit, për aktivitet të palicencuar nga AMA. Si burim i shkeljeve më të mëdha ligjore, sidomos transmetimeve pa licence apo piraterisë së përmbajtjeve audiovizive, subjektet ISP janë prej kohësh nën vëzhgimin e rreptë të ekipeve tona të punës. Çdo rast i paligjshëm është ndëshkuar sipas legjislacionit në fuqi.
Sot, një shkelës i ligjit ka dhunuar fizikisht një prej anëtarëve të ekipit të inspektimit, i cili ishte në krye te detyrës. Shpreh bindjen dhe besimin se institucionet e rendit dhe drejtësisë do të bëjnë më së miri punën e tyre, për këtë incident të turpshëm dhe të paprecedent. Rregullimi i tregut audioviziv, ligjshmëria e tij, lufta kundër piraterisë në të gjitha format e shfaqjes së saj, është misioni ynë dhe puna jonë e çdo dite. Prandaj për individë të tillë kam vetëm një mesazh: Çdo shkelës do të marrë dënimin sipas ligjit./ZËRI