Aktualitet

E rëndë në Fier, dy të rinjtë mashtrojnë emigrantin/ E fusin në makinë, e dhunojnë dhe i marrin paratë

Shtetasi nga Pakistani ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

E.K
E rëndë në Fier, dy të rinjtë mashtrojnë
Foto ilustruese

FIER- Dy të rinj janë vënë në pranga nga Policia në Fier, pasi kanë mashtruar, dhunuar dhe më pas i kanë marrë paratë që kishte me vete, një emigranti nga Pakistani. Nazo Sulaj dhe Elvis Çobo, morën në makinë emigrantin, dhe i premtuan se do ta çonin nga Gjirokastra në drejtim të Shkodrës, kundrejt një përfitimi monetar. Por ata e kanë zbritur emigrantin në Fier, ku e kanë dhunuar, dhe i kanë marrë paratë. Shtetasi nga Pakistani ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Fierit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

NJOFTIMI I POLICISË:

Morën në automjet 1 emigrant nga Pakistani, duke e mashtruar se do ta transportonin në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin ilegalisht të kufirit për në Mal të Zi, por e dhunuan, i morën eurot që ky shtetas kishte me vete dhe e zbritën në Fier.

Policia brenda pak orësh identifikoi, kapi dhe vuri në pranga 2 autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale eurot që dy shtetasit i morën me dhunë emigrantit, dy celularë dhe automjeti me të cilin lëviznin dy shtetasit e arrestuar .

Shërbimet e Policisë pas njoftimit të  marrë nga spitali rajonal i Fierit, se ishte paraqitur për të marrë mjekim, 1 shtetas i huaj, i dhunuar,menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen e këtij rasti.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera është bërë e mundur që  brenda pak orësh, të zbardhej dinamika e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar, N. S., 21 vjeç, banues në Mallakastër dhe E. Ç., 26 vjeç, banues në Fier.

Këta 2 shtetas dyshohet se kanë marrë në automjet nga Gjirokastra, 1 emigrant nga Pakistani duke e mashtruar se do ta transportonin në Shkodër, për të kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Më pas ata e dhunuan, i morën paratë dhe e zbritën në rrugë në Fier.

Shtetasi nga Pakistani ka marrë asistencë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./ZËRI 

Poll

MOS HUMB