Aktualitet

Dy vite më parë u vra me plumb në kokë, efektivi Novruz Cenalia rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve

Gjatë ceremonisë u theksua se emri i Novruz Cenalisë do të mbetet pjesë e historisë së Policisë së Shtetit si një efektiv që sakrifikoi jetën gjatë ushtrimit të detyrës.

F.I
Dy vite më parë u vra me plumb në kokë, efektivi Novruz
Novruz Cenalia

TIRANË-Efektivi i Policisë së Shtetit, Novruz Cenalia, i vrarë dy vite më parë në Fier nga Azgan Mërnica, është rivarrosur këtë të shtunë në Varrezat e Dëshmorëve. Gjatë ceremonisë u theksua se emri i Novruz Cenalisë do të mbetet pjesë e historisë së Policisë së Shtetit si një efektiv që sakrifikoi jetën gjatë ushtrimit të detyrës.

Edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, morën pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Dëshmorit të Atdheut, Novruz Cenalia.

Hita vlerësoi sakrificën e efektivit që ra në krye të detyrës, teksa theksoi se Novruz Cenalia nuk është më thjesht emri i një inspektori, por tashmë rreshtohet në Panteonin e “Nënës Shqipëri”. Ai paralajmëroi se çdo dorë e ngritur mbi uniformën e policisë është një goditje ndaj themeleve të shtetit dhe do të përballet me forcën e ligjit.

Skënder Hita: Ky moment është një thirrje zgjimi për mbarë shoqërinë shqiptare, për të kuptuar dhe respektuar sakrificën e përditshme të mijëra djemve e vajzave, grave e burrave të Policisë së Shtetit, të cilët çdo sekondë vendosin jetën e tyre në altarin e sigurisë publike. Ka sakrifica që historia i shkruan me bojë, por ka edhe nga ato që shkruhen me gjak dhe mbeten të pashlyeshme në kujtesën e një kombi dhe sakrifica e jote është pikërisht e tillë. Novruz, sot ti po bashkohesh me shokët e tu Dëshmorë, me ata që idealin dhe profesionin e kthyen në mision dhe jetën në simbol shërbimi e dinjiteti. Trupi yt do të prehet në këtë tokë të shenjtë, por emri yt do të marshojë me ne në çdo patrullë, në çdo operacion dhe në çdo përballje të Policisë së Shtetit me paligjshmërinë. Kush prek një punonjës policie, ka goditur vetë themelet e shtetit. Kush sulmon këtë uniformë, ka sulmuar rendin, sigurinë, ligjin dhe bashkëjetesën qytetare në Republikën e Shqipërisë. Krimi mund të na shkaktojë dhimbje dhe mund të na marrë jetë, por kurrë, asnjëherë nuk do të arrijë të na gjunjëzojë, të na zmbrapsë apo të zbehë forcën e reagimit tonë.  Çdo dorë që ngrihet mbi uniformën e Policisë do  ndeshë forcën e pamëshirshme të ligjit dhe harresën e turpshme të historisë.

Nga ana tjetër, ministri Lamallari në fjalën e tij mbajtur para familjarëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit vlerësoi sakrificën e efektivit dhe kërkoi që drejtësia t’i shkojë deri në fund ngjarjes kriminale.

Besfort Lamallari: Ata që mendojnë se mund të trembin shtetin duke goditur një punonjës policie, gabojnë rëndë. Humbja e Novruz Cenalisë është një dhimbje e madhe, por ajo nuk e dobëson misionin tonë; përkundrazi, e bën edhe më të fortë vendosmërinë për të luftuar krimin dhe për të mbrojtur rendin e sigurinë publike.

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm e ka dënuar Azgan Mërnicën me 35 vite burg për vrasjen e efektivit të forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia. Më herët, Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim të përjetshëm, por Apeli vendosi ndryshimin e vendimit, duke ulur dënimin në 35 vite heqje lirie. 

Ngjarja ndodhi më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Konflikti mes viktimës dhe Mërcinës ka lindi për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, duke u kthyer në rrezik për të gjithë të tjerët. Pasi e ka parë vetë skenën, Novruz Cenalia i ka tërhequr vëmendjen të riut, por Mërnica nuk e ka marrë "lehtë" kritikën. Menjëherë ka ndaluar makinën e tij, ka zbritur me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe qëlloi me plumb në kokë efektivin duke i marrë jetën në vend./ZËRI

Poll

MOS HUMB