
HIMARË- Himara, bashkia e vogël për nga numri i popullsisë në jug të vendit, prej më shumë se një viti është kthyer në një nga vatrat më të nxehta të përplasjeve politike, edhe në sajë të ndërhyrjes së Greqisë pas arresimit të Fredi Belerit. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, nuk mundi që të gëzonte për asnjë ditë mandatin e dhënë nga qytetarët, për shkak se prej 12 Majit të vitit të kaluar ndodhet pas hekurave, ndërsa së fundi është dënuar më 2 vite burg për korrupsion zgjedhor.
Pas arrestimit të tij, në këto afro 10 muaj, Bashkia u drejtua përtej afateve ligjore nga Jorgo Goro, i cili ushtroi rolin e kryebashkiakut në detyrë, derisa ndoqi gjurmët e kundërshtarit të tij. Edhe Jorgo Goro u vu në pranga, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, në tjetërsimin e mijëra metrave tokë në Himarë, ndërkohë që për ironi të fatit, denoncimi me prova i ishte bërë pikërisht nga Beleri.
Por çfarë ndodh tani me drejtimin e Bashkisë Himarë, dhe pse OMONIA drejton gishtin nga Vangjel Tavo?
Pikëpyetja më e madhe është se kujt do t’i besohet në vijim drejtimi i Bashkisë, sa kohë që kryeministri Edi Rama ka thënë që nuk do të shpallë datën e zgjedhjeve të reja, pa u dhënë vendimi në apel për Fredi Belerin. Ligji parashikon që të mblidhet këshilli bashkiak i Himarës, për të mandatuar një nga nënkryetarët që të ushtrojë detyrën e Goros. Mirëpo asnjë prej dy nënkryetarëve të bashkisë, bëjnë me dije burimet për ZËRIN, nuk ka pranuar që të marrë detyrën, dhe në këtë mënyrë, pikëpyetja e drejtimit sa vjen e shtohet.
Socialistët kanë shumicën e anëtarëve në Këshillin Bashkiak (13), kundrejt 8 anëtarëve që ka koalicioni Bashkë Fitojmë, nën siglën e të cilit Beleri fitoi dhe mandatin. Sipas organizës OMONIA, në skenë si kryebashkiak i Himarës mund të dalë emri i Vangjel Tavos, i cili në fakt nuk do të përflitej për herë të parë. Edhe më herët, Tavo është përfolur si kryebashkiak i mundshë, i Himarës i propozuar nga socialistët, ndërsa pak javë më parë u emërua në postin e prefektit të Vlorës.
Në një deklaratë për mediat, OMONIA hedh dyshime se përmes ndryshimit të ligjit për prefektin, Tavo mund të marrë atribute për drejtimin e Bashkisë, si pjesë e qarkut të Vlorës. Kjo sipas OMONIA-s do të ishte e papranueshme, e madje do të shkelte mbi vetë deklaratat e Ramës se për Bashkinë e Himarës do të aplikoheshin standardet më të mira europinane.
POSTIMI I OMONIA-S
Ideja e Ramës për të emëruar ish-deputetin socialist me origjinë nga Dropulli, Vangjel Tavon, si kryetar të Bashkisë Himarë, u dëgjua për herë të parë në Krishtlindjet e vitit 2023. Vangjel Tavo, për nder të tij, e mohoi këtë gjë në atë kohë. Gjithsesi, rezulton se në Shqipëri asgjë nuk është e rastësishtme. Në 3 javët e fundit ka ndodhur si më poshtë:
- 5 Mars 2024: Kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, u dënua në shkallë të parë në një proces gjyqësor pa prova.
- 14 Mars 2024: Prefekti i Vlorës u zëvendësua papritur nga Vangjel Tavo.
- 21 mars 2024: Gjykata Kushtetuese legalizoi paraburgimin e Belerit.
- 23 Mars 2024: Arrestohet i përzgjedhuri i Ramës dhe humbësi i zgjedhjeve vendore, Gjergji Goro, i cili vazhdoi të drejtojë Himarën për 10 muaj pas humbjes së tij.
Shtrohen pyetjet:
- Përse Rama e emëroi Tavon Prefekt nëntë ditë para se Goro të arrestohej? A ishte për t'ia kaluar atij administratën e bashkisë së Himarës pas paraburgimit të Goros? Mos ndoshta për ta caktuar si kandidat për zgjedhjet e pritshme vendore pas dënimit përfundimtar të kryebashkiakut Beleri?
- Përse prokuroria e SPAK priti kaq muaj për të arrestuar Goron? Mos ndoshta priti të përfundonte gjyqi në Gjykatën Kushtetuese?
- Përse prokuroria e SPAK nuk arrestoi edhe Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, në favor të të cilit u krye falsifikimi për të cilin akuzohet Goro?
- Përse nuk arrestoi prokuroria e SPAK-ut edhe ata që i dhanë Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme Xhaçka, statusin e investitorit strategjik për një pasuri të fituar me falsifikim?
Pas këtyre zhvillimeve, a besoni ende në pavarësinë e SPAK-ut dhe të drejtësisë në përgjithësi?
Nga momenti që z. Rama e ka vendosur përfundimisht të shkelë ligjet dhe Kushtetutën e vendit duke mos lejuar kryetarin e zgjedhur të betohet, dëshirojmë t’i kujtojmë se më 22 dhjetor 2023, deklaroi se do të ndiqte “praktikat më të mira europiane” për bashkinë e Himarës. Kjo do të thotë vetëm një gjë: Kushdo që merr drejtimin e përkohshëm të bashkisë Himarë deri në lirimin dhe betimin e Fredi Belerit, duhet të jetë një nga këshilltarët bashkiakë të kualicionit fitues të zgjedhjeve vendore të majit 2023. Nuk mund të jetë dikush pa lidhje me votën e popullit të Himarës dhe aq më tepër nuk mund të jetë nga një zonë tjetër jashtë bashkisë së Himarës. Ne Himariotët duam si kryetar bashkie njeriun që ne votuam dhe jo atë që i pëlqen Ramës.
/ZËRI