
TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka sqaruar shkakun për largimin nga detyra të Albana Ficos, e cila prej 3 vitesh ishte në krye të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Teresa". Në një prononcim për mediat, Koçiu është shprehur se largimi i Albana Ficos nuk ka lidhje me hetimet për zjarrin që shkrumboi pak javë më parë në ambientet e Urgjencës. Sipas saj, Fico u zëvendësua si një lëvizje për të pasur impulse të reja.
“Lirimi i Albana Ficos nga detyra nuk ka lidhje me urgjencën. Sjellim energji të reja për projektet në vazhdim. Drejtoresha e re e QSUT në rend të parë do të ketë vënien në funksion të plotë të Urgjencës së sëmundjeve të brendshme. Zëvendësimi u bë për t’i dhënë një impuls më të madh QSUT, për të shtuar ritmin. Ne sot jemi në QSUT dhe duhet të flasim për punët e mira që do të vijojnë të bëhen këtu dhe një ritëm të shtuar sa i përket shërbimit ndaj qytetarëve. Drejtoresha e re ka një profesion të nderuar dhe ka vite që ushtron profesionin në qendrën rajonale spitalore “Shefqet Ndroqi”, tashmë do t’i bashkohet ekipit të QSUT. Nuk është ndalur në asnjë moment puna për shërbimin e qytetarëve. Kjo do të thotë që puna do të vazhdojë, punët e mira do të vijojnë. Jemi duke punuar intensivisht, por nuk është ndalur në asnjë moment shërbimi i qytetarëve dhe kemi shërbime që ofrohen edhe në qendrën spitalore Shefqet Ndroqi. Puna po vijon normalisht,”- tha Koçiu.
Pas largimit të Albana Ficos, Alma Cani është emëruar si drejtuesja e re e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Më herët, ajo mbante postin e nëndrejtore dhe shefe e reanimacionit në spitalin "Shefqet Ndroqi"./ZËRI