Aktualitet

Dosja 'Partizani'/ Dëshmia e Isa Tares: Më ofruan shtëpi, nuk e mbaj mend kush ishte

Në dosjen hetimore është edhe dëshmia e Isa Tares, ish-drejtorit të Klubit shumësportësh "Partizani" nga viti 1995-2005, i cili sipas përmbajtjes së dosjes u hoq nga detyra kur kryeministër u zgjodh, Sali Berisha.

k.m.
Dosja 'Partizani'/ Dëshmia e Isa Tares: Më ofruan
Isa Tare

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga dosja e SPAK, e cila është siguruar nga "Zëri.ai", lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, që çoi në arrestimin e Jamarbër Malltezit. Në dosjen hetimore është edhe dëshmia e Isa Tares, ish-drejtorit të Klubit shumësportësh "Partizani" nga viti 1995-2005, i cili sipas përmbajtjes së dosjes u hoq nga detyra kur kryeministër u zgjodh, Sali Berisha. Po ashtu në dosje sqarohet se pronarët e tokës ishin dëmshpërblyer dhe më parë nga italianët. 

Tare ka deklaruar se një prej ish-pronarëve, emrin e të cilit nuk e mban mend, i ka premtuar një hyrje në pallatet që do të ndërtoheshin, në këmbim që ai të shprehte dakordësinë për projektin.

“Më datë 21.12.2022 është pyetur shtetasi Isa Tare i cili ka deklaruar se ka qenë drejtori i Klubit Shumesportesh Partizani nga viti 1995-2005, rreth muajve prill, maj. Gjithashtu ka qenë edhe inspektor për sportet bazë dhe sportist i Klubit Sportiv Partizani nga 1958-2005. Gjatë kohës që ka qenë drejtor është paguar nga Ministria e Mbrojtjes, kanë pasur 55 punonjës. Ekipi i futbollit u lidh me italianët dhe kaloi në varësi të italianëve. Besoj se kjo varësi u krijua nga vitit 1989. Pastaj Klubi i Futbollit u bë shoqëri aksionere me president Bert Xhani.

Pra financimi u hoq nga ministria e mbrojtjes dhe e bënte privatisht financimin Bert Xhani. Kur ka ardhur në pushtet shtetasi Sali Berisha në vitin 2005, Isain e kanë hequr nga puna, duke e shkarkuar, pas asnjë motivim si dhe dy çunat e tij, të quajtur Auron Tare drejtori i parkut kombëtar të Butrinit dhe Agron Tare që ishte kryetari i degës së pakicave kombëtare në Ministrinë e Jashtme. … disa vite para se ta pushonin nga puna kanë kaluar te Ministria e Kulturës, madje i kujtohet se e ka propozuar ai. I kujtohet që e ka thirrur një shefe e madhe në Kryeministri, e cila i sugjeroi që të bëheshin shoqëri aksionere. Isai nuk pranoi se nuk kishim ku t’i gjenin fondet pasi kishin rreth 300-400 sportista dhe 60 veta me rrogë mujore që paguheshin muaj për muaj nga ministria e Mbrojtjes, buxheti i shtetit.

Pak më përpara i çuan në varësi të Këshillit të Rrethit, tek ‘21 Dhjetori’ ka qenë, por më vonë Isai kërkoi që të shkonin tek Ministria e Kulturës. Mesa i kujtohet Bert Xhani kur mori klubin e futbollit Partizani, ka marrë vetëm hotelin rreth pesë kate me përkrahje të Ministrisë së Mbrojtjes kurse klub shumësportesh kishte palestrat, dy kate. I kujtohet që tek klubi shumësportesh ka qenë edhe një palestër e madhe e lojërave volejboll dhe basketboll dhe po në këtë godinë ishte palestër gjimnastike.

Gjithashtu kanë qenë dhomat e zhveshjes që në 1997 hyjnë njerëz që jetonin aty. Në dijeninë e tij, klubi shumësportesh bashkë me klubin e futbollit, pra gjithë territori aktualisht është zënë me ndërtime pallatesh. Në dijeninë e tij, ish pronarëve të cilëve u është dhënë kjo tokë, janë shpërblyer nga italianët shumë vite më parë dhe dokumentet janë në Firence. Në vitin 2005 kur e hoqën Isain nga puna e ka zëvendësuar Afrim Tole…

Në kohën që ishte Isai drejtor, po bëheshin përpjekje që klubi shumësportesh Partizani t’i dorëzohej ish pronarëve dhe Isait i është afruar njëri nga këta ish pronarë, emri i i cilit nuk po i kujtohet që i ka ofruar t’i jepte një hyrje në ndërtesat që do të bëheshin në atë territor, por me kusht që Isai të shprehte dakordësinë e tij që ta merrnin atë pronë ish-pronarët. Pjesë e klubit shumësportesh Partizani ka qenë edhe pishina me vendndodhje në Laprakë, saktësisht tek parku i veturave i Ministrisë së Mbrojtjes.

Orkestra frymore ka qenë ngjitur me pishinën, në Laprakë madje ka qenë edhe shkolla e muzikës për ushtarakët. Por ndërtesa e orkestrës frymore dhe pishina u prishën me kalimin e kohës dhe prandaj orkestra frymore gjatë kohës që Isai ishte drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani, është sjellë tek ky i fundit. Konkretisht është ndërtuar një godinë kastile për orkestrën pas palestrës së lojërave me dorë, tek Klubi shumësportesh Partizani, pra afër klubit të futbollit Partizani në një godinë më vete,”- thuhet në dosje./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB