
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur një detaj të ri lidhur me dosjen e privatizimit të kompleksit sportiv "Partizani". Sipas dosjes që disponohet nga "Zëri.ai", përfaqësuesit e familjeve pronare Artan Alimehmeti, Ardian Llagami, Kreshnik Kaçurri, Igli Vaqari kanë dërguar një letër në Kryeministri ku ankoheshin për procesin e ndjekur për privatizimin. Por ky dokument origjinal nuk është gjetur në protokoll, veç fotokopja. Sqarimin e mëtejshëm e ka dhënë Oerd Bylykbashi.
PJESË NGA DOSJA:
Në dosjen e SPAK thuhet ndër të tjera se në Kryeministri është gjendur një shkresë fotokopje, por jo origjinalja e datës 30.03.2009, drejtuar Sali Berisha, Kryeministër, me lëndë “Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar” nënshkruar nga përfaqësuesit e familjeve pronare Artan Alimehmeti, Ardian Llagami, Kreshnik Kaçurri, Igli Vaqari.
“Megjithëse është kërkuar pranë Arkivës së Këshillit të Ministrave në Kryeministri shkresa origjinale e datës 30.03.2009 drejtuar Sali Berisha, Kryeministër, me lëndë “Njoftim për keqpërdorim funksioni zyrtar” nuk është arritur të gjendet”, thuhet në dosjen e SPAK.
I pyetur më datë 25.11.2022 Oerd Bylykbashi se cila ka qenë procedura e arkivimit të praktikës së denoncimit dhe nuk gjendet në origjinal dhe a e ka parë ai ndonjëherë origjinalin, ai ka deklaruar se: Ankesa së bashku me të gjithë praktikën e kontrollit arkivohej në arkivën e Kryeministrisë. Si rregull i përgjithshëm ankesa në Kryeministri duhet të vinte në origjinal pasi nuk pranoheshin fotokopje dhe ankesa anonime. Nuk e kujton nëse e ka parë ankesën origjinale apo jo. Pasi është arkivuar praktika nuk do të thotë se çfarë bërë me dokumentacionin. Nuk di të thotë përse nuk gjendet në origjinal.
Jamarbër Malltezi u vu dje në pranga, ndërsa ndaj ish-kryeministrit Berisha është caktuar masa 'detyrim paraqitje' dhe ndalimi i daljes nga Shqipëria. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla. Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në qendër të Tiranës, truall i cili para vitit 2008 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes./Zëri.ai