
TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua dje me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas SPAK, Veliaj dyshohet për përfshirje në nëntë raste korrupsioni në bashkëpunim, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, ndërsa disa biznesmenë të njohur, përfshirë Gentian Sulën, Meriman Palushin, Fatmir Bektashin, Sokol Kryeziun dhe Shkëlqim Fushën, janë vendosur nën detyrim paraqitjeje.
Lidhja me biznesmenin Gentian Sula dhe ndërtimet në Tiranë
Në dosjen e SPAK, të publikuar në media, përshkruhet një lidhje e fortë mes Veliajt dhe biznesmenit Gentian Sula, pronar i kompanisë ndërtimore “AGI KONS”. Sipas kallëzimit të një shtetasi të identifikuar si Nesti Angoni, kur Veliaj u emërua Ministër i Punës, ai bleu një vilë në bllokun rezidencial “Kodra e Diellit” nga kompania e Sulës. Pas kësaj blerjeje, bashkëshortja e Sulës u emërua zëvendësministre në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku Veliaj ishte titullar në atë kohë.
Marrëdhënia mes Veliajt dhe Sulës vijoi të forcohej, me kompaninë “AGI KONS” që përfitoi një numër të madh kontratash publike në Tiranë, duke ndërtuar:
• Shkollën tek ish-Sheshi Shqiponja,
• Parkun Rinia,
• Godinën e Operas dhe Baletit,
• Maternitetin dhe Spitalin e Ri,
• Godina në Universitetin Bujqësor,
• Si dhe duke përgatitur projekte për Teatrin Kombëtar.
Tre vila në Qerret dhe transaksione të dyshimta
Në të njëjtin kallëzim pretendohet se Veliaj posedon tre vila në fshatin rezidencial në Qerret, Kavajë, të ndërtuara nga kompania e Sulës. Një nga këto vila është në pronësi të vëllait të Veliajt, ndërsa dy të tjerat janë rikonstruktuar nga kryebashkiaku. Një prej vilave, sipas kallëzuesit, është shembur për të krijuar hapësira shtesë, me kosto të supozuar prej 500 mijë eurosh. Në këtë proces janë përdorur makineri të Ujësjellësit Kavajë, duke ngritur dyshime për abuzim me burimet publike.
Kallëzuesi shtron pyetjen nëse për këto ndërtime dhe shpenzime ekzistojnë faturat e dokumentuara apo transaksione bankare të justifikuara. SPAK ka nisur verifikimet e këtyre akuzave, duke analizuar edhe kontratat dhe prokurimet e kompanisë “AGI KONS”./ZËRI