Aktualitet

Vrasja e Martin Canit/ Prokuroria dërgon në gjyq Mario Përlleshin, nis hetimi edhe për stafin e shkollës (AKUZA)

I mituri do të përballet në gjyq me veprën penale "vrasje në rrethana cilësuese", vepër penale që dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm.

k.m.
Vrasja e Martin Canit/ Prokuroria dërgon në gjyq Mario
Martin Cani

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani! Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se Prokuroria ka dërguar për gjykim autorin e mitur, 14-vjeçarin Mario Përlleshi. I mituri do të përballet në gjyq me veprën penale "vrasje në rrethana cilësuese", vepër penale që dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm. Nga ana tjetër, përveç të miturit që tashmë është në institucionin për vuajtjen e dënimit në Kavajë, Prokuroria njofton se ka nisur një procedim penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, ndaj stafit të shkolllës për të zbuluar më shumë për veprimet apo dhe mosveprimet e tyre.

“Hetimet vazhdojnë pasi është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim individualizimin e fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete”, njofton organi i akuzës.

NJOFTIMI I PROKURORISË:

Vrasja e të miturit tek Shkolla ‘Fan Noli’, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq për ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave shtetasin M.P

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin M.P., i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave, e parashikuar nga neni 79, shkronja a) dhe dh) i Kodit Penal, në dëm të të miturve M.C. dhe L.M. Pas një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përfunduar hetimet lidhur me procedimin penal nr.7676, të regjistruar datë 18.11.2024. Gjithashtu, nga ana e organit të akuzës është vendosur ndarja e akteve të këtij procedimi, të akteve që lidhen me veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal, lidhur me veprimet apo mosveprimet e stafit të shkollës, të cilat janë regjistruar në një procedim tjetër, dhe për të cilin hetimet vazhdojnë  pasi është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim individualizimin e fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete.

*Vrasja me dashje e kryer: a) ndaj të miturit; b) ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura; c) shfuqizuar; ç) ndaj kallëzuesit, dëshmitarit, të dëmtuarit ose palëve të tjera ndërgjyqëse; d) më shumë se një herë; dh) kundër dy ose më shumë personave; e) në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës; ë) në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.

Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari është lënë në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB