Aktualitet

Dosja 5D/ Apeli i GJKKO liron nga qelia ish-drejtorin Mariglen Qato, i cakton masën arrest shtëpie

Me vendimin e shpallur këtë të martë, Apeli pranoi ankimin e Qatos dhe zëvendësoi masën e sigurisë “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”.

zh.ll
Dosja 5D/ Apeli i GJKKO liron nga qelia ish-drejtorin Mariglen Qato, i cakton
mariglen qato

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar vendimin e mëparshëm të shkallës së parë dhe ka vendosur të lirojë nga qelia ish-drejtorin e IMT-së, Mariglen Qato. Ky i fundit ndodhej në "arrest në burg" në kuadër të hetimeve për dosjen e njohur si "5D".

Me vendimin e shpallur këtë të martë, Apeli pranoi ankimin e Qatos dhe zëvendësoi masën e sigurisë “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”.

Njoftimi i Gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Iliriana Olldashi, sot më datë 30.06.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 184 akti, datë 22.06.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit M.Q: “Ankim ndaj vendimit nr. 355, datë 21.05.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Zëvendësim mase sigurimi” dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 355, datë 21.05.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në këtë mënyrë:
Pranimin e kërkesës së kërkuesit/të pandehurit M.Q.
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në burg” të cakuar ndaj tij me vendimin nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, duke e urdhëruar të pandehurin M.Q, që të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në ***.
Urdhërohet lirimi nga ambjentet e paraburgimit i të pandehurit M.Q, në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ekzekutimin e këtij vendimi.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar 9 vite burg për Qaton, i cili përballet me akuzat e korrupsionit në 4 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Ish kreu i IKMT-së, Mariglen Qato, dyshohet për çështjen e dosjes ‘5D’ që ka hetuar SPAK dhe e ka dërguar për gjykim, ku është i pandehur së bashku me zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë.

Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Redi Molla dhe Mariglen Qato thotë SPAK, kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, ndërsa vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tendera duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020.

Më herët, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor duke dënuar katër prej të pandehurve që u gjykuan në proces të ndarë për dosjen “5D”, por që nuk do të bëjnë asnjë ditë burg. Drejtoresha e klubit shumë-sportësh, Deborah Keçi, me tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi u dënuan me shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera./ZËRI

Poll

MOS HUMB