Gara për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë - Hani i Hotit ka hyrë në fazën përfundimtare, teksa Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka përzgjedhur tre kompanitë e huaja që do të dorëzojnë ofertat teknike dhe financiare për zbatimin e projektit.
Pas përfundimit të fazës së parakualifikimit, në listën e finalistëve të tenderit janë përfshirë 3 operatorë ekonomikë ndërkombëtarë, të cilët do të konkurrojnë me ofertat e tyre financiare për një nga investimet krysore në sektorin hekurudhor shqiptar.
Interesi për projektin ishte i lartë që në fazën e parë të procedurës, me 16 kompani dhe konsorciume nga Evropa dhe Azia që kishin shprehur interes për ndërtimin e linjës. Në mesin e tyre kishte kompani nga Turqia, Italia, Kina dhe India, si dhe bashkime të përkohshme operatorësh (joint venture), që synonin të plotësonin kriteret teknike dhe financiare të kërkuara.
Sipas procedurës së BERZH, vetëm kompanitë e përzgjedhura në listën e finalistëve mund të paraqesin ofertat teknike dhe financiare, të cilat do të shërbejnë për përzgjedhjen e fituesit të kontratës.
Projekti, me një vlerë totale të parashikuar prej 368 milionë eurosh, bashkëfinancohet nga BERZH, Banka Evropiane e Investimeve dhe një grant i Bashkimit Evropian. Investimi parashikon rehabilitimin e rreth 120 kilometrave hekurudhë ekzistuese, duke mundësuar shpejtësi operimi deri në 120 kilometra në orë. Ndërkohë që, objektivi mbetet përfundimi i plotë i linjës hekurudhore deri në vitin 2030./Kapital.al