TIRANË- Ka reaguar në rrjetet e tij sociale Belind Këlliçi lidhur me dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala. Këlliçi ka hedhur akuza ndaj qeverisë, duke e lidhur largimin e ministres me një projekt të ri për administrimin e sektorit të shëndetësisë. Sipas Këlliçit, bëhet fjalë për një projektligj që synon krijimin e një agjencie e cila do të ketë rol të centralizuar në menaxhimin e ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe proceseve logjistike të sektorit.
Siç e kemi paralajmëruar, projekti i Edi Ramës për krijimin e një agjencie që do marrë shëndetësinë në dorë, i dha efektet e para. Largimi i Ministres Sala ka lidhje pikërisht me këtë aferë!, shkruan në rrjetet e tij sociale Blendi Këlliçi.
Deputeti demokrat pretendon se pas këtij projekti fshihen interesa private dhe se agjencia e parashikuar nga qeveria do të krijonte, sipas tij, një strukturë me kompetenca të gjera mbi sektorin shëndetësor.
Shoqëria që do të ketë monopolin e shëndetësisë shqiptare, fsheh interesa okulte të Edi Ramës dhe miqve të tij, shkon Këllici në shkrimin e tij.
Më tej, Këlliçi pretendon se projektligji, i cili sipas tij është ende në fazë drafti, pritet të shqyrtohet në nisje të sesionit parlamentar dhe do të përfshijë një sërë aktivitetesh që lidhen me ilaçet, pajisjet shëndetësore dhe proceset e tenderimit, magazinimit e shpërndarjes.
Praktikisht bëhet fjalë për krijimin e një Ministrie Shëndetësie paralele, por me pushtet absolut që sipas gjithë gjasave do të kontrollohet nga miku i ngushtë i Edi Ramës, izraeliti Sani Sanilevich, shkruan ai.
Në reagimin e tij nëpërmjet rrjeteve sociale, Këlliçi përmend gjithashtu pretendime për interesa të biznesmenit izraelit Sani Sanilevich në Shqipëri, duke e lidhur emrin e tij me aktivitete në sektorë të ndryshëm, përfshirë atë financiar dhe shëndetësor. Këto pretendime janë pjesë e akuzave të bëra nga Këlliçi në postimin e tij.
Ai rikthen gjithashtu në vëmendje deklaratat e mëhershme të kryeministrit Edi Rama për bashkëpunimin me ekspertizën izraelite në sektorin e shëndetësisë, duke pretenduar se pas tyre mund të ketë interesa të tjera.
Këlliçi thotë se dorëheqja e Evis Salës duhet parë në këtë kontekst, ndërsa pretendon se ministrja ka refuzuar të firmosë projektin.
Raportimet në media se Ministrja e Shëndetësisë Sala ka refuzuar firmosjen e këtij projektligji, e për pasojë ka dhënë dorëheqjen, janë në dritën e këtyre zhvillimeve. ka theksuar Këlliçi.
Në përfundim të reagimit, nënkryetari i PD-së i drejtohet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar hetim mbi projektin dhe interesat që, sipas tij, lidhen me të.
SPAK është në kohë për t’u zgjuar, e për të parandaluar një krim të rëndë financiar me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, përfundoi ai.
Reagimi i plotë i Belind Këlliçi në rrjetet sociale:
Evis Sala u largua për t’i hapur rrugë dorëzimit të Shëndetësisë tek miku izraelit i Ramës!
Siç e kemi paralajmëruar, projekti i Edi Ramës për krijimin e një agjensie që do marrë shendetësinë në dorë, i dha efektet e para. Largimi i Ministres Sala ka lidhje pikërisht me këtë aferë!
Shoqëria që do të ketë monopolin e shëndetësisë shqiptare, fsheh interesa okulte të Edi Ramës dhe miqve të tij.
Projektligji që është aktualisht draft, pritet të kalojë me fillimin e sesionit parlamentar, dhe i hap rrugën një biznesi të madh me ilaçet, pajisjet shëndetësore e çdo operacioni logjistik e strategjik nga tenderimi, magazinimi e shpërndarja.
Praktikisht bëhet fjalë për krijimin e një Ministrie Shëndetësie paralele, por me pushtet absolut që sipas gjithë gjasave do të kontrollohet nga miku i ngushtë i Edi Ramës, izraeliti Sani Sanilevich, që është dhe konsull nderi i Shqipërisë, me firmë të vetë Ramës.
Për miqësinë dhe shërbimet ndaj Edi Ramës, ky biznesmen tanimë është shpërblyer. Ai është themelues dhe aksioner i Jet Bank, banka e parë dixhitale në vend, e liçensuar me shpejtësi skëterrë e pa transparencë.
Po ky emër fshihet edhe pas një kompanie të regjistruar në Durana, parajsën fiskale të Edi Ramës në Shqipëri!
Mirëpo, Sanilevich dhe ortakë të tij në biznes, kanë interesa të gjëra që po i vënë në jetë në Shqipëri. Përveç resorteve, fokusi tani është në shëndetësi. Dhe jo vetëm ngritja e një spitali privat, por marrja nën kontroll e gjithë sektorit, me shoqërinë që kërkon të ngrejë Edi Rama.
Edhe më herët, Kryeministri është shprehur se me ekspertizë izraelite Shqipëria do bëhet një qendër e madhe dhe e avancuar shëndetësore në rajon.
Por ai ka mbajtur të fshehta këto interesa biznesi dhe këtë projekt për krijimin e këtij monopoli absolut në fushën e medikamenteve, pajisjeve, tenderimeve e çdo operacioni që ka të bëjë me shërbimin shëndetësor.
Raportimet në media se Ministrja e Shëndetësisë Sala, ka refuzuar firmosjen e këtij projektligji, e për pasojë ka dhënë dorëheqjen, janë në dritën e këtyre zhvillimeve.
Në fakt është veprim i zgjuar nga ana e saj. Sepse ky është një skandal dhe më i madh se konçesionet e sterilizimit apo check-up, dhe fati i saj mund të jetë më i rëndë se i Ilir Beqës.
SPAK është në kohë për t’u zgjuar, e për të parandaluar një krim të rëndë financiar me jetën dhe shëndetin e qytetarëve./ZËRI