TIRANË- Një dokument që duhej të përfundonte në dosjen e SPAK-ut është gjetur në telefonin e Ergys Agasit. Bëhet fjalë për aktin e ekspertimit të një automjeti 'Land Rover Defender' të sekuestruar nga BKH-ja dhe të ekzaminuar nga Policia Shkencore me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.
Automjeti ishte sekuestruar më 22 korrik 2026 në garazhin e vilës së Ergys Agasit pranë kompleksit 'Equos Resort'. Për të janë kryer veprime të ekspertimit daktiloskopik përfshirë kërkimin e gjurmëve të gishtave dhe fijeve të flokëve, si dhe krahasimin e mjetit me pamjet e një 'Land Rover Defender' që dyshohet se është përdorur në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe.
Pas përfundimit të ekspertizës, Policia Shkencore ka hartuar konkluzionet përfundimtare dhe një kopje të aktit i është përcjellë zyrtarisht SPAK-ut në përgjigje të kërkesës së prokurorëve.
Por dokumenti nuk rezulton të ketë mbetur vetëm brenda komunikimit institucional.
Në muajin gusht disa ditë pas përfundimit të ekspertizës tre fletë të aktit kanë përfunduar në aplikacionin 'Signal', në numrin e Ergys Agasit. Sipas të dhënave të hetimit, materiali i është dërguar nga Fatjon Kalluçi, punonjës i Policisë Shkencore.
Komunikimi është zbuluar në telefonin e Agasit, i cili u arrestua më 26 gusht 2026 në Durrës. Pikërisht nga verifikimi i pajisjes së tij elektronike, hetuesit kanë mundur të evidentojnë se Agasi ishte vënë në dijeni të përfundimeve të ekspertizës së kryer për automjetin.
Kjo pjesë e dosjes ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si një material i prodhuar në kuadër të një hetimi të SPAK-ut ka dalë nga kanali zyrtar dhe ka mbërritur te një person nën hetim.
Në këtë procedim, Kalluçi është një prej personave ndaj të cilëve vijon hetimi, ndërsa autoritetet po verifikojnë komunikimet dhe rrethanat në të cilat dokumenti i ekspertizës ka kaluar në duart e Agasit.
Hetimi është ende në vijim dhe sipas të dhënave të bëra publike nuk përjashtohet mundësia që në fazat e mëtejshme të ketë shtim të akuzave ndaj Vlora Hysenit dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në këtë çështje./ZËRI