
TIRANË- Në datën 3 Qershor pritet që të nisë dorëzimi i një pjese të kampit për pritjen e emigrantëve në Lezhë, në duart e autoriteteve italiane. Struktura e parë që do të dorëzohet javën e ardhshme, është një qendër Hot Spot, e ndodhur në zonën e portit të Shëngjinit, që do të shpërbejë për identifikimin dhe shpërndarjen e emigrantëve.
Lajmin e ka dhënë në një njoftim sindikata e policisë italiane, që pohon se për këtë qëllim është bërë edhe një takim organizativ i uniformave blu të vendit fqinj më 27 Maj. Për të garantuar sigurinë e strukturës së parë, do të dërgohen fillimisht 20 efektivë nga repartet e lëvizshme të Policisë Italiane.
“Zona në fjalë, njësoj si dhe kampi që po ndërtohet në Gjadër, gëzojnë ekstraterritorialitet, ndaj dhe janë plotësisht nën juridiksionin e Shtetit Italian, ndërsa jashtë perimetrit të tyre do të veprojnë trupat e armatosura shqiptare”, nënvizon njoftimi i Sindikatës së Policisë Italiane. “Gjithçka që lidhet me kapacitet operative, fuqinë dhe kushtëzimet juridike të lidhura me faza të ndryshme të shërbimit, do të përcaktohet në marrëveshjet dypalëshe që po perfeksionohen”, shton njoftimi.
Efektivët e Policisë Italiane që do të shërbejnë në këtë kamp emigrantësh do të alternohen me turne 1 mujore, kohë gjatë të cilës do të rimbursohen me 100 Euro dita, teksa ushqimi dhe strehimi do të garantohen pranë strukturave hoteliere shqiptare, nga autoritetet e Romës.
Në fund të korrikut pritet të jetë i gatshëm edhe kampi në Gjadër dhe i gjithë operacioni të nisë punën, me praninë e një personeli prej 300 vetësh, nga të cilët 176 të Policisë.