
TIRANË- Në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, mësuesit kanë protestuar përpara Ministrisë së Arsimit. Mësuesit kanë marshuar nga qendra e Tiranës, drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa kërkojnë më shumë kushte cilësore në punë, dhe trajtimin dinjitoz të tyre. “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar!’, citohet në një prej mesazhe të protestuesve.
Kërkesat e mësuesve kanë qenë të shumta, nga mbulimi i plotë i transportit të tyre, te një shpërblim financiar i tyre në fund të vitit. Protestuesit ngritën pretendime se premtimi i qeverisë për paga 950 euro, jo vetëm që nuk është zbatuar deri tani, por nuk ka as një plan të detajuar në lidhje me pagesat e tyre, dhe si do të klasifikohen ato. Një prej sindikatave të mësuesve ka paralajmëruar nisjen e një greve të përgjithshme të arsimtarëve, në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen deri në muajin Shtator, që shënjon dhe nisjen e vitit të ri shkollor.
“Duhet dyfishim i pagave që profesioni i mësuesit të bëhet profesion i kërkuar nga maturantët. Në degët e mësuesisë, në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Korçë janë mbyllur fare. Degët e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë është një numër i vogël i studentëve që është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. E ardhmja e mësimdhënësve lë shumë për të dëshiruar. Këto nuk janë kërkesa personale, këto janë kërkesa për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike në të gjithë vendin”, tha një prej përfaqësuesve të sindikatave të arsimit në Shqipëri.
‘Ne jemi sot këtu për tiu thënë se Arsimi nuk është në ditët e tij më të mira. Jemi drejt vijës së kuqe, në Tiranë kemi godina të mira, por mungojnë mësuesit. Kemi mungesa të mësuesve në shumë zona të Shqipërisë. Shqiptarët e duan shkollën, ka ardhur koha që arsimi të kthehet në një prej 3 prioriteteve nga qeveritë e 30 viteve të ardhshme. Kërkohet një Reformë europiane, që duhet të nisin që nga emrat e shkollave që nuk kanë lidhje me shkollën. Arsimtarët kanë qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë’, ishte mesazhi i një prej mësuesve të pranishëm në protestë.
“Zbatoni kontratën kolektive, i jepni mësuesit 10 muaj transport, jo 9 muaj transport. Nuk mund të shkojë mësuesi me lekët e vetë nëpër shkolla. Financoni arsimin publik. Financoni në masën 100% transportin e mësuesve, dhe jo 70%. Sa më shumë të financojë shteti, aq më arsim cilësor do të kemi. I nderuar kryeministër, zbato kërkesën e sindikatave për zbatimin e kontratës kolektive", vijoi thirrja e një tjetër arsimtari.
Dita Ndërkombëtare e Punës, e njohur edhe si Dita e Punëtorëve, kujtohet çdo vit në datën 1 maj në më shumë se 80 vende.
Kjo ditë festohet për të njohur dhe nderuar kontributet e rëndësishme të punëtorëve dhe për të shënuar lëvizjen historike punëtore që synonte të promovonte të drejtat dhe mundësitë e punëtorëve.
/ZËRI