
TIRANË- Një tjetër protestë është zhvilluar ditën e sotme në Tiranë, përpara kryeministrisë. Punonjës nga profesione të ndryshme kanë zgjedhur ditën e sotme, që shënon festën ndërkombëtare të punonjësve, që të kërkojnë më shumë të drejta dhe trajtim dinjitoz.
“Dinjitet për punëtorët”, shkruhet në një nga pankartat që protestuesit mbajnë në duar, ndërkohë që pjesë e protestës ishin dhe minatorët, të cilët përsëritën kërkesat e tyre për marrjen e statusit.
“Oficerët kanë status, të gjithë kanë status, jemi në kushtet më të vështira. Jemi të diskriminuar, të sëmurë, asnjë nuk merr parasysh kërkesat tona. I kemi dhënë ekonomisë shumë të ardhura, sot jemi të persekutuar”, tha një minator.
Ndërsa një përfaqësuese e sindikatës së arsimit deklaroi se duhet të dyfishohet paga dhe t’i kthehet vëmendja shkollave.
“Sot jemi përpara Kryeministrisë për të kërkuar dyfishimin e pagës së mësuesit. Gjithashtu kemi nevojë që Kryeministri të kuptoj që shkollat kanë nevojë për investime. Ministret e kanë kthyer shkollën në shkollë Facebook-u, ku imponohet mësuesve të bëjnë like e share e jo punën e tyre. Ti kthehet vëmendja shkollës”, tha ajo.
Më herët gjatë ditës së sotme, një tjetër protestë u zhvillua nga mësuesit përpara Ministrisë së Arsimit. Sindikatat e mësuesve paraqitën një sërë kërkesash, nga dyfishimi i pagave, te mbulimi 100% i transportit apo shpërblimi në fund të vitit.
/ZËRI