Aktualitet

DINAMIKA: Tek plumb i mori jetën! Si u ekzekutua me snajper Gëzim Sinomati

Vrasësit kishin 30 minuta që e prisnin në mjetin tip “BMW”, kur panë "shënjestrën" e tyre të dilte në ballkon. Morën shënjestër mirë dhe me një tek plumb në kokë e rrëzuan në tokë duke i marrë jetën.

k.m.

DINAMIKA: Tek plumb i mori jetën! Si u ekzekutua me snajper Gëzim
Foto ilustruese

VLORË- ZËRI ka zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes mafioze të Gëzim Sinomatit. Në orën 22.00, në lagjen “Hajro Çakërri” ikin dritat. 22-vjeçari, del në ballkonin e banesës së tij për të pirë një cigare. Vrasësit kishin 30 minuta që e prisnin në mjetin tip “BMW”, kur panë "shënjestrën" e tyre të dilte në ballkon. Morën shënjestër mirë dhe me një tek plumb në kokë e rrëzuan në tokë duke i marrë jetën.

Derisa u dha alarmi për vrasjen e të riut, makina e autorëve u zhvendëso në lagjen “24 Maji”, e më pas u dogj. Edhe në këtë vrasje autorët u larguan në errësirën e natës, ndërsa Policia i kërkonte në pallatet përballë pasi dyshohej se qitja kishte ardhur nga pallati përballë.

Megjithatë skema ishte e njëjtë si në shumë vrasje të tjera që kanë ndodhur në vend, e që mesa duket Policia nuk po i mëson dot. Gjendet një mjet, vidhen targat, në këtë rast ishin dubluar në Kamëz dhe përgatitet skema e ngjarjes. I riu sapo kishte ardhur në Vlorë pas 7 vitesh që jetonte në Belgjikë me të atin dhe xhaxhanë. Kaloi me familjen festat e fundvitit dhe priste datën e kthimit, por nuk kishte kaluar pa u vënë re në qytet.

"Hesapet" e vjetra të të atit (anëtar i bandës së Gaxhait) nuk e lanë dot që të jetonte. Edhe ai fatkeqësisht pësoi të njëjtin fat si xhaxhai, të cilit i kishte marrë emrin. Gëzim Sinomati u vra 27 vite më parë në vitin 1997. Dje, të njëjtën fat të keq kishte dhe i nipi.

Deri më tani, mbetet e paqartë nëse hetuesit kanë arritur të gjejnë të dhëna të cilat mund t’i ndihmojnë në identifikimin e autorëve, por aktualisht nuk ka asnjë detaj të ri lidhur me ngjarjen. Edhe pse Policia e Vlorës ka shoqëruar të paktën 10 persona për vrasjen, sërish nuk ka mundur të zbulojë asgjë prej tyre. Një nga personat që mund të zbulojë më shumë për të ndihmuar Policinë është vetë i ati i Gëzim Sinomatit, Sokoli, por i njohur ndryshe me pseudonimin “Buzëderri”. Por aktualisht ai është në arrati, i vendosur mes 2 zgjedhjesh; të kthehet dhe të ndihmojë shtetin për zbardhjen e vrasjes të së birit; apo ta 'mbyllë punën' ashtu siç di vetë. Nga historiku i ngjarjeve kriminale në vend, kjo e dyta ka më shumë mundësi të ndodhë. Vetëm...nëse kësaj herë Policia kryen detyrën dhe vendos para përgjegjësisë autorët./ZËRI

Poll

MOS HUMB