
TIRANË- Ardhja e stinës së dimrit ka sjellë edhe virozat. Shefja e Pediatrisë Infektive, Gjeorgjina Kuli, u shpreh në një prononcim për A2CNN se qarkullimi i shumë virozave respiratore në këtë periudhë ka mbushur pavijonet e Pediatrisë në QSUT.
“Mjekët po përballen me një situatë gati të pazakontë për stinën e vjeshtës. Krahas shtimit të urgjencave dhe vizitave nga infeksionet respiratore, janë rritur edhe shtrimet në spital. Pavionet janë plot me pacientë të vegjël, kryesisht foshnja nën 6 muajt e parë të jetës,”- tha ajo ndër të tjera.
Kuli bën përgjegjës të kësaj situate virusin respirator sincicial, apo siç njihet ndryshe RSV.
“60% e shtrimeve në spital janë për shkak të këtij virusi. Nuk mungojnë rastet e rënda nga meningiti, COVID-i, por edhe nga gripi, i cili këtë vit erdhi më herët se sezonet e kaluara,”- shton ajo.