
TIRANË – Ndërtimi i linjës kabllore direkt mes Shqipërisë dhe Egjiptit parashikohet se do të sjellë impakt pozitiv për ekonominë shqiptare. Kjo, pasi pritet që të hapen shumë vende të reja pune, si dhe të krijohen mundësi të reja të dixhitalizimit.
Marrëveshja e nënshkruar dje mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë së info-komunikimit me qendër në Budapest, 4iG, vjen pas arritjes së dakordësisë të kësaj të fundit, me kompaninë Telekom Egjipt, në tetor 2023. Në atë kohë, kompanitë treguan vetëm detajet, teksa thanë se sistemi do të jetë me kapacitet të lartë, teksa Shqipëria do të jetë një nga portat hyrëse drejt Europës Lindore.
“E mbështetur me një infrastrukturë tokësore të siguruar ndërkufitare, ajo do të lehtësojë lidhjen e mëtejshme dhe aksesin në destinacione të ndryshme kryesore”, u tha në atë kohë. Pritshmëritë që kjo linjë do të përdoret nga investitorët janë të mëdha, pasi synojnë që të fitojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe me rritje të shpejtë të trafikut të të dhënave midis Europës e Azisë, si dhe mes Europës dhe Afrikës Lindore.
Përpos pikave të shumta potenciale në Europën Lindore, me tjetër model aksesi dhe njësi me shumë degëzime, sistemi pritet që të ngrihet si një pikë e re hyrëse kabllore, europiane, me një kalim tranziti të ndryshëm, krahasuar me rrugët mesdhetare tëshmë ekzsituese drejt pikës kryesore të internetit, ngjashëm me ato të Frankfurtit.
Investimi që do të bëhet vlerësohet se do të jetë 100 deri në 115 milionë euro, teksa përveç përfitimeve ekonomike, ka shkuar në të njëjtën linjë me politikat për zhvillimin e teknologjisë dhe digjitalizimit në vendin tonë./ZËRI/