
GJADËR- Vetëlëndim, protesta, tentativa vetëvrasjeje. Të paktën 45 episode të tilla janë shënuar në qendrën e Gjadrit, kështu të paktën raporton media italiane "Domani". Sipas reportazhit që kanë kryer në kampin me qendër në Lezhë, gazetarët shkruajnë se kur takohen me të "burgosurit", kanë një pyetje që u përsëritet: 'Çfarë dite është?' dhe 'Çfarë ore është?'. Asnjë nga ta nuk ka orë dore, as celular, ka televizorë, por nuk funksionojnë.
Gjadri, ky kompleks i izoluar u ndërtua në emër të qeverisë italiane për të strehuar emigrantët e parregullt me qëllim riatdhesimin e tyre në vendin e tyre të origjinës. Por a është vërtet kështu?
Cili është itinerari i personave që sillen në Shqipëri?
Pikë së pari, emigrantët e paligjshëm futen në Qendrën e Kujdesit Shëndetësor (CPR), merren zakonisht natën, pa e ditur që do të dërgohen përtej kufirit. Nuk i jepet asnjë paralajmërim apo shpjegim. E mësojnë se ku janë vetëm kur kanë mbërritur në destinacion. Më pas, kanë të drejtë për një telefonatë 10 minutëshe në ditë, nga një linjë e vetme fikse në institucion. Vetëm kështu mund të kontaktojnë me avokatin e tyre në Itali. Nëse ai nuk përgjigjet, nuk ka mundësi të dyta!
Prej andej, ditët kalojnë...
Të gjithë ata që ndodhen në kamp mund të përdorin, madje kanë arritur edhe në abuzim, të barnave psikotrope, të përdorura si anestetikë. Nëse situata në burgjet dhe CPR-të italiane është serioze, në Gjadër, situata është edhe më e keqe.
"Mjeku shkon dhe i pyet sesa pika dëshirojnë? A ndjehen nervozë? I japin 10 pika më shumë se ato që ju kanë përshkruar. Ata janë të bombarduar me ilaçe,”- thotë Claudio Stefanazzi, deputet i Partisë Demokratike, i cili vizitoi qendrën në një ditë me shi.
Në një skenar të tillë, nuk mungojnë ngjarjet kritike: vetëlëndimi, protestat, tentativat për vetëvrasje. Ka pasur gjithsej 45 episode të tilla, nga 80 persona gjithsej që janë vendosur në kamp muajt e fundit. Gjatë vizitës së saj, deputetja tjetër e Partisë Demokratike, Debora Serracchiani dëshmoi një protestë: një burrë shkatërroi dritaret e qelisë së tij duke kërkuar të transferohej.
Parlamentarët dhe bashkëpunëtorët që i shoqëruan ata në vizitë intervistuan disa nga të paraburgosurit dhe mblodhën historitë e tyre. Njëri prej tyre i mbijetoi tentativës së dytë për vetëvrasje. Ai flet vetëm arabisht. Nëna e tij, e moshuar dhe e sëmurë, jeton në Paris. Ai u nis nga Algjeria që të qëndronte me atë. Por sapo mbërriti në Sardenjë, ai u dërgua direkt në Qendrën e Kujdesit Shëndetësor të Sardenjës dhe nga aty, u soll në Shqipëri. Pas këtij eksodi të detyruar dhe poshtërues, burri kërkon të riatdhesohet në Algjeri, por - paradoksalisht - kjo nuk është e mundur. Ndërkohë - dhe askush nuk e di se sa zgjat kjo "ndërkohë" dhe çfarë kuptimi ka që ai të mbahet i mbyllur në Gjadër, ndëkrohë që vazhdon dhe tenton që të kryejë vetëvrasje.
Një tjetër i paraburgosur po kthehet në Itali sepse në Shqipëri gjendja e tij shëndetësore dukej e papajtueshme me paraburgimin. Ai është qartësisht i varur nga droga dhe tregon shenja të qarta të shqetësimit psikiatrik, si rezultat i një jete të shënuar nga dhuna: ai është jetim, i rritur nga një mik i babait të tij që e keqtrajtoi, ai u torturua në Libi dhe mban shenjat e plagëve të armëve të zjarrit në trup. Ai punoi për një vit e gjysmë në Tripoli për të paguar udhëtimin e tij në Evropë.
Gjatë kalimit për në Europë, varka e tij u fundos: pati 75 të vdekur. Pasi mbërriti në Itali, ai u dënua për krime të vogla dhe vuajti 9 muaj në një burg në Toskanë. Pas lirimit nga burgu, ai u dërgua në Qendrën e Pritjes së të Ardhurave në Torino, pastaj në atë të Brindisit, pastaj përsëri në Torino, me transferime që zgjasnin deri në 48 orë. Në Libi, ai ishte prekur nga tuberkulozi; ai rezultoi pozitiv për HIV, por nuk kishte pasur kurrë qasje në kujdes të specializuar.
Diagnoza zyrtare erdhi vetëm një herë në Shqipëri, duke ngritur çështjen e sigurisë shëndetësore për veten e tij, për të paraburgosurit e tjerë dhe për stafin./ZËRI