
TIRANË – Është mbajtur sot seanca gjyqësore për shqyrtimin e ankimimit të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, në lidhje me aferën “Partizani”.
Seanca gjatë ditës së sotme ka nisur që në orën 09:00. Malltezi dhe avokati i tij dhanë mbi 1 orë shpjegime në sallën e gjyqit. Avokati i Malltezit, Klodian Skënderi ka argumentuar se nuk mund të bëhet korrupsion me VKM dhe se nuk mund të bëhet pastrim parash, në tokën që e ke nën pronësi.
“Si mund të ketë akuzë korrupsion pasiv funksionari i lartë? Si mund të bëhet pastrimi në tokën tënde?
Si mund të bëhet korrupsion me ligj apo VKM. Ligji ose VKM nuk miratohet nga një person. Jamarbri nuk ka qenë funksionar i lartë dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi”, ka thënë avokati, raporton TCH.
Vetë Jamarbër Malltezi, në këtë seancë ka deklaruar se ndërrimin e destinacionit të pronës e ka bërë pushteti vendor. “Ndërrimin e destinacionit të pronës e ka bërë pushteti vendor”, deklaroi Malltezi.
Më datë 14 nëntor, avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezit kanë dorëzuar në Gjykatën e Posaçme ankimimin, ku ata kundërshtojnë masat e sigurisë, të vendosura për ta. Për Berishën, gjykata ka vendosur paraqitje 2 herë në muaj në gjykatë, ndërsa Jamarbër Malltezi është lënë në burg.
Pavarësisht nga lajmërimet e Gjykatës së Posaçme, ish-kreu i qeverisë Sali Berisha ka thënë se nuk njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje”, duke thënë se është antikushtetuese. Edhe gjatë javës së kaluar, Berisha dhe Malltezi kërkuan rrëzimin e masave të sigurisë ndaj tyre, por gjykata nuk aprovoi kërkesat.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha sot në një konferencë për mediat, se gjykata vendosi që seanca e radhës për shqyrtim të masave të sigurisë të mbahet ditën e nesërme, në orën 11:00./Zëri.ai/