
VLORË-Oficerët e SPAK, kanë përfunduar kontrollet në banesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në Lungomare. Mësohet se oficerët e SPAK kanë dalë vetëm me dosje e shkresa kanë nëpër duar. Burime bëjnë me dije se Beqajt i janë gjetur foto të banesës me të njëjtin arredim. Sa i përket kontrollit, oficerët mësohet se kanë kryer kërkime edhe në garazh të apartamentit për një automjet, i cili përdorej nga ish-ministri. Ndërkohë në derë është vendosur shiriti “Mos kalo!”.
Banesa ku është shkuar për kontroll ishte marrë me qira nga Beqaj në 2020, ndaj edhe avokati i Beqajt, Ermal Yezeiraj nuk ka pranuar të shkojë pasi në dijeni e tij nuk është e lidhur aktualisht kjo kontratë qiraje.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur dyshime se ish-ministri Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera. Përfitues i parave ka qenë vetë ish-ministri dhe bashkëpunëtorët e tij, por SPAK nuk e ka një shifër ekzakte.
Arrestimi i Beqajt u bë në 4 korrik dhe një ditë më pas në 5 korrik GJKKO, e la në arrest me burg, pavarësisht se ofroi 50 mijë euro garanci për të marrë lirinë. Edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ermal Kurtuljat, u la në qeli ndërsa për lirinë me kusht e cila iu refuzua, ofroi paratë e shitjes së një Audi Q7. Në masën "arrest shtëpie" janë lënë: Gazmend Haxhia, Elton Marini, Alfred Nikollaj, Gazmend Haxhia; ndërsa "detyrim paraqitje", Bledar Leka dhe Bjona Zijaj./ZËRI