
DURRËS-Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i SPAK në Manzë të Durrësit, ku u arrestuan Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçuri. Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçuri, ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë. Ende nuk është bërë i ditur roli i tyre në grupin kriminal, ndërsa është zbuluar pasuria e Arjanit Malokut.
Personi që shihni në foton më poshtë është Arjanit Malokut. Gazetari Elton Qyno shkruan se në vitin 2011, Maloku ka hapur në zonën e Fushë-Krujës një biznes karburant për shitjen me pakicë të lëndëve djegëse dhe vajrave lubrifikantë. Biznesi quhet “Gorica” por aktualisht është me status ekonomik të pezulluar duke mos ushtruar aktivitet tregtar. Në lidhje me biznesi nuk rezulron asnjë e dhënë në Qendrën Kombetare të Regjistrimit (Qkr) apo në QKB.

Deri tani janë lëshuar 61 urdhër-arresti ndërsa janë arrestuar 21 persona. Mes të ndaluarve ka edhe shtetas shqiptarë të dyshuar, teksa autoriteteve u janë dashur 4 vite hetime. Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër, ku dhe u shtri operacioni në bashkëpunim me Eurojust, Europol. SPAK bën me dije se në lidhje me operacionin e përbashkët me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zvicerane dhe polake, në Shqipëri janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambjente të tjera. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale./ZËRI