
TIRANË- Në dosjen e SPAK, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani evidentohet një nga episodet ku shfaqet edhe Shkëlzen Berisha, djali i kreut të Partisë Demokratike. Sipas SPAK, Berisha ka prona të deklaruara fillimisht si të marra me qera dhe më pas përfundojnë në pronësi të tij. Sipas Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thuhet se Shkëlzen Berisha fillimisht morri me qera pronën e Albert Hanit, me një kontratë qiraje prej 5 vitesh duke filluar nga data 01.11.2007 deri më 31.12.2012, me shumën prej 500 eurosh në muaj.
Derisa: më datë 07.01.2013, Albert Hani i kalon të drejtat dhe detyrimet mbi apartamentin dhe garazhin kundrejt pageses 346,000 euro në emër të Shkëlzen Berishës. Prona e blerë nga Shkëlzen Berisha do të përdorej, më vonë nga kunati i tij Jamarbër Malltezi për blerjen e tokave në Marqinet.
"Kalimi i te drejtave dhe detyrimeve mbi apartamentin dhe garazhin kundrejt pageses 346,000 euro (do shlyhet brenda 8 muajsh me ane te kredise bankare qe do akordohet nga 1 banke e nivelit te dyte per shlyerjen e cmimit te kalimit te pasurive). Ky apartament në vijim i është shitur shtetasit Myftar Lumeshi në vlerën 608 000 euro sipas kontratës më nr 2718 rep nr 1183 kol datë 09.12.2015.,"-shkruhet ndër të tjera nga SPAK.
Përfshirja e Jamarbër Malltezit
Me kontratën e hipotekimit që mban datën 21.12.2018, Jamarbër Malltezit, pasurinë e përfituar si rezultat i shkëmbimit më Albert Hanin, e vendos me barrë hipotekore për një kredi në vlerën 1 800 000 euro. Fondet e kësaj kredie do të përdoren për blerjen e tokave në Marqinet. Nga aktet, rezulton se, bëhet fjalë për 3 pasuri të llojit 'arë', me sip të përgjithshme 6183 m2; truall + ndërtese me sip 14 220 m2.
"Albert Hani fillimisht mohon ekzistencën e qerasë, e më pas i gjendur para dokumentit, pretendon se, në fakt nuk ka qënë ndonjëherë qëllimi i dhënies me qera por që ka shërbyer thjesht si një hallkë e fshehjes së përfitimit të pasurisë,"-shkruhet në dosjen e SPAK.
Ai pretendon se tatimi mbi qeranë është paguar nga shoqëria Altaen Seed Construction ndërkohë që kjo shoqëri nuk ka ekzistuar në atë kohë. Hani, në marrjen në pyetje nga SPAK më datë 02.08.2024, pretendon se, apartamentin e mësipërm ia kishte lënë me qera një zyrtari të OSHEE-së, pasi Shkëlzen Berisha e kishte përdorur për 1 vit. Madje dhe ka vënë në dispozicion pagesa të bëra nga një person i huaj me inicialet N.P.H., i cili paguante çdo muaj shumën prej 2 500 euro./ZËRI