
LEZHË- Gjykata e Lezhës ka dënuar këtë të hënë me 5 vjet burg Nikoll Sherrnikun, 28-vjeçari i arrestuar në 17 Gusht 2022 në zonën e Shëngjinit, teksa udhëtonte me një automjet të blinduar dhe me vete mbante një armë automatike dhe radio. Sherrniku akuzohet për “Mbajtje pa lejë të armëve dhe Municioneve”.
Po me të njëjtën masë, togat e zeza kanë dënuar dhe Flutura Berishën, e cila në momentin e arrestimit ndodhej në timonin e makinës së blinduar ku qëndronte edhe Nikoll Sherrniku. Ky i fundit u arrestua 1 muaj pas ekzekutimit të trefishtë të ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Nikoll SHerrniku është deklaruar fajtor dhe dënuar edhe për akuzën e ”Largimit nga vendi i caktimit nga gjykata për të qëndruar”, pasi kishte thyer masen e sigurisë arrest në shtepi.
Sherrniku, rezulton i dënuar edhe më parë, pasi gjykata e Lezhës e ka gjetur fajtor për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim për ngjarjen e vrasjes së punonjësit të policisë, Xhulio Prela.
Së fundmi dhe pse në burg, Sherrniku është arrestuar nga Policia e Tiranës nën akuzën e "Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje" lidhur me ngjarjen e ndodhur në "Don Bosko" ku mbeti e vrarë kamarierja e lokalit Mimoza Paja dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes të cilëve dhe një e mitur (mbesa e viktimës).
Lidhur me ngjarjen e “Don Boskos”, 28-vjeçari i ka mohuar akuzat me pretendimin se ndodhet pas hekurave dhe nuk ka kontakte me persona jashtë./Zëri.ai